Dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti me fatalitet në rrugën Smrekonicë-Gojbulë.
Sipas njoftimit të policisë, policia në Mitrovicë ka pranuar informatë rreth orës 22:00 se në rrugën e lartcekur, përkatësisht afër fshatit Gojbulë të Vushtrrisë ka ndodhur një vetaksident ku e përfshirë ka qenë një veturë në të cilën gjendeshin dy persona, shkruan lajmi.net.
“Sipas informatave të para, njëri nga personat ka humbur jetën në vendin e ngjarjes ndërsa personi tjetër është transportuar në spitalin e Vushtrrisë, mirëpo si pasojë e lëndimeve të pësuara ka humbur jetën dhe është konfirmuar vdekja e tij nga ana e personelit mjekësor. Mosha e viktimave është mes 19 dhe 17 vjeçare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente ku kanë bërë vendshiqimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes për shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.