Në balotazh, pjesëmarrja është zakonisht goxha më e ulët, sepse në këtë fazë nuk garojnë më kandidatët për këshilltarë komunalë, të cilët zakonisht mobilizojnë rrethin e tyre personal të votuesve. Po ashtu, votuesit e partive të treta, që janë skualifikuar në raundin e parë, nuk kanë më motiv të rikthehen në kuti.
Shkruan Adri Nurellari
Prandaj, rritja e pazakontë e pjesëmarrjes në balotazh në Mitrovicë nuk është rezultat i entuziazmit qytetar, por produkt i një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të pushtetit qendror. Kurti vërsuli aparatin shtetëror në terren, duke përdorur presion, klientelizëm dhe patronazh për të ndikuar vullnetin e votuesve e për të manipuluar rezultatin.
Por, me gjasë, u përdor jo vetëm presioni por edhe mbushja e kutive. Pa llogaritur këtu rastet e denoncuara për blerje vote, që e rëndojnë edhe më tej kredibilitetin e procesit dhe shndërrojnë balotazhin në një farsë të kontrolluar politikisht.
Nuk është aspak surprizë që ky manipulim elektoral ndodh nën drejtimin e një force politike dhe një lideri si Kurti që kurrë nuk ka respektuar proceset demokratike; që e ka bërë shkeljen e Kushtetutës traditë, dhe që karrierën politike e ka ndërtuar mbi dhunë, mashtrime dhe dehumanizim të kundërshtarëve.
Mitrovica është veçanërisht e ndjeshme dhe simbolike si garë sepse këtu bëhet fjalë për veriun, kalin kryesor të betejës populiste të Kurtit. Poashtu sfida e Mitrovicës lidhet edhe me emrin e Bedri Hamzës, kandidatit kryesor tê opozitës për kryeministër si dhe të Kadri Veselit, ish-liderit të PDK-së.
Në anën tjetër garoi një ministër i kabinetit të Kurtit, ndër më të përfolurit për afera korruptive dhe abuzim me pushtetin, i cili u shndërrua në vegël të pushtetit për të kapur me çdo kusht Mitrovicën.
Është veçanërisht shqetësuese fakti se qindra fletëvotime të dyshimta rezultojnë në favor të kandidatit të pushtetit, ndërsa kompania në Slloveni që i ka shtypur fletvotimet del të jetë e lidhur me Martin Berishajn dhe Sveclën.
Kur edhe prokurori përgjegjës është i afërt me kandidatin e LVV, atëhere çdo dyshim kthehet në provë.
Në këto rrethana, njollosja e procesit elektoral është flagrante dhe nuk mund të fshihet me arsyetime periferike apo propagandë qeveritare.
Prandaj rivendosja e besimit te vota dhe demokracia mund të vijë vetëm me përsëritjen e votimit.