Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka vazhduar paraqitjen e fakteve të reja që ai pretendon se dëshmojnë pafajësinë e aktivistëve të Vetëvendosjes për rastin e sulmit ndaj Kuvendit.
“Agjensioni Kosovar i Forenzikës nga analizimi i të gjitha pajisjeve që u janë sekuestruar aktivistëve të akuzuar për terrorizëm, nuk ka gjetur asnjë provë që do të dëshmonte lidhjen e tyre me sulmin në Kuvend. Pajisjet e sekuestruara të aktivistëve nuk u janë kthyer ende”, ka thënë Molliqaj përmes rrjetit social Facebook.
Sipas tij kjo dëshmon që bastisjet e aktivistëve dhe paraqitja bombastike mediale e pajisjeve të tyre gjoja si prova, kanë qenë montime politike për efekte mediale.
Molliqaj ka paralajmëruar fakte të reja lidhur me aktivistët të Vetëvendosjes e akuzuar për terrorizëm, transmeton gazetametro.net.
Kujtojmë që në mesin e të akuzuarëve ishte edhe tashmë i ndjeri, Astrit Dehari, vdekja e të cilit ende nuk është zbardhë krejtësisht.
“Ditëve në vijim do të publikoj edhe faktet e tjera të dokumentuara që dëshmojnë se aktivistët e arrestuar tash e 136 ditë po mbahen politikisht dhe pa asnjë prove”, bëri të ditur ai.
Ndryshe, Molliqaj ka publikuar edhe ditën e djeshme FAKTE që sipas tij flasin për pafajësinë e aktivistëve të subjektit që ai i takon. /gazetametro.net.