Lidhja Demokratike e Kosovës është në përgatitje të daljes me një propozim për të Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e që është ratifikimi i Marrëveshjes së Vjenës, duke ia shtuar një aneks në të cilin kërkohet që ky proces të rishikohet pas një viti. Po ky propozim është i papranueshëm për subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Të gjithë kundërshtarët e demarkacionit, edhe ne opozitarët, por edhe ata brenda mazhorancës, e kanë të qartë që stërzgjatja e kësaj çështjeje vjen nga mungesa e vullnetit nga ana e Qeverisë për ta zgjedhur këtë çështje, e që më pas u manifestua më shpërfillje dhe arrogancë të tyre ndaj nesh që thjesht kërkonim të mos cenohet territori i Kosovës”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti.
Ai më tej ka thënë se demarkacioni nuk duhet të ratifikohet pa u ratifikuar. Hoti ka thënë se pa marr parasysh se çka do të ndodhë më demarkacionin, Kosova ka mbetur prapa edhe në kushtin tjetër për liberalizimin e vizave e që është luftimi i korrupsionit.
“Demarkacioni nuk duhet të kalojë fare pa u rishiquar, pra pa u kthyer në pikën fillestare, kurse në lidhje me liberalizimin e vizave, duhet theksuar se pavarësisht çfarë bëhet me demarkacionin, Kosova është shumë prapa në luftën ndaj krimit e korrupsionit. Kjo qeveri e cila nuk solli asnjë projekt zhvillimor, duket se veç e ka ngulfatur tutje shtetin, në njërën anë duke ia rrezikuar vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial, ndërsa në anën tjetër duke e izoluar në proceset e integrimeve”, ka shtuar Hoti.
Përndryshe, deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka propozuar që Marrëveshja për Demarkacionin të ratifikohet më një aneks në të cilin thuhet se demarkacioni me Malin e Zi do të rishikohet pas një viti. Ky propozim ka ardhur si opsion për të gjetur një zgjidhje për të mos e penguar procesin e liberalizimit të vizave, pasi ratifikimi i demarkacionit është kusht në këtë proces. Ky propozim është duke u shqyrtuar në LDK.