Videoklipi i reperit nga Kosova, Don Xhoni, i realizuar në monumentin kulturor “Makedonium” në Krushevë, është bërë objekt debati në Maqedoninë e Veriut, ndërsa çështja ka çuar edhe në dorëheqjen e drejtuesit të Muzeut Historik në Krushevë, transmeton Gazeta Metro.
Pamjet për këngën “Sexy Mama” janë realizuar rreth tre muaj më parë në objektin që gëzon statusin e trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga shteti. Megjithëse videoklipi u publikua prej disa muajsh dhe ka mbledhur miliona shikime, polemikat nisën ditët e fundit, pasi xhirimet u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.
Pas reagimeve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi se do t’i kërkojë ministrit të Kulturës dhe Turizmit të ndërmarrë masa ndaj drejtuesve të institucionit përgjegjës për monumentin.
“Ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni, së bashku me Bordin Drejtues, pasi institucione të tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të këtij lloji”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri gjithashtu kërkoi falje nga qytetarët për atë që e cilësoi si lëshim dhe tha se do të ndërmerren hapa për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla. Pas deklaratës së Mickoskit, drejtori i Institucionit Kombëtar të Muzeut Historik në Krushevë, Miha Oxhaklieski, njoftoi dorëheqjen e tij të parevokueshme.
Në arsyetimin e dorëheqjes, Oxhaklieski e përshkroi vendimin si një përgjegjësi personale, morale dhe etike ndaj institucionit dhe publikut. Megjithatë, ai theksoi se gjatë procedurës për lejimin e xhirimeve nuk ishte shkelur ndonjë dispozitë ligjore, rregullore apo akt tjetër dhe se vendimi nuk kishte qenë në kundërshtim me ndonjë qëndrim të Bordit Drejtues.
Sipas tij, procedura e ndjekur për xhirimet ishte në përputhje me një praktikë që institucioni e kishte zbatuar edhe më herët. Oxhaklieski shtoi se përgjegjësia e një drejtuesi të një institucioni publik shkon përtej respektimit formal të ligjit dhe përfshin edhe ruajtjen e standardeve morale e etike, veçanërisht në raport me besimin e qytetarëve.
“Edhe pse nuk ka pasur qëllim për të shkelur ligjin, rregulloren apo ndonjë vendim, është bërë një lëshim i paqëllimshëm në vlerësimin e mënyrës se si një procedurë e caktuar mund të kuptohet nga publiku. Për këtë ndiej përgjegjësi morale dhe për këtë arsye e paraqes dorëheqjen”, thuhet në dorëheqjen e Oxhaklieskit.
Në anën tjetër, Don Xhoni reagoi përmes rrjeteve sociale lidhur me polemikat. Reperi ka deklaruar se realizimi i videoklipit nuk ka pasur për synim provokimin apo ofendimin e askujt, duke sqaruar se lokacioni ku janë bërë xhirimet është përzgjedhur nga produksioni./gazetametro.net