Qeveria dhe Kuvendi nuk i kanë përmbushur as gjysmën e detyrave që ia kishin vënë vetes në fillimit. Bojkoti e mospuna i ka karakterizuar të dyja këto institucione, shkruan sot Koha Ditore.
Vetëm më pak se gjysma e veprimeve që i kishte paraparë Ekzekutivi në planin vjetor të punës janë përmbushur. Legjislativi, ndërkaq, ka mundur t’i miratojë diçka më shumë se një të tretën e ligjeve që i kishte të planifikuara për 2016-n. Pavarësisht kësaj, përfaqësues institucionalë kanë folur me mburrje për punën e bërë.
Tek ka shpalosur bilancin vjetor në një konferencë shtypi para gazetarëve, kryeministri Isa Mustafa ka thënë të ketë pasur arritje konkrete. Për Qeverinë që e drejton, ka thënë të ketë arritur suksese të jashtëzakonshme. Ka thënë se do ta mbështesë me fakte këtë konstatim.