Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, pas ndeshjes kundër Izraelit është ankuar në ndarjen e drejtësisë pasi sipas tij gjyqtari kryesor më shumë anonte nga izraelitët, transmeton Gazeta Metro.
‘Dardanët’ barazuan sot 1-1 në Tel Aviv në sfidën e parë të ciklit kualifikues për ‘EURO 2024’.
Ata shënuan të parët në minutën e 36’të pas autogolit të mbrojtësit, Eli Dasa, mirëpo shifrat vendasit i barazuan në minutën e 56’të me anë të mesfushorit, Dor Peretz.
Vojvoda theksoi se në ndeshjen e radhës kundër Andorrës në ‘Fadil Vokrri’ duhet t’i marrin patjetër tre pikët.
”Ishte rezultat pozitiv. Me ardhur këtu dhe me barazu nuk është edhe lehtë, ta kish jep Miloti atë gol në minutën e fundit, na kish kënaq edhe e kishim kënaq krejt shtetin. 1-1 nuk është keq e kemi një lojë tjetër me Andorrën, që duhet patjetër tre pikët,” tha ai.
Tutje, mbrojtësi i Torinos aludoi se gjyqtari kryesor nuk ndau drejtësinë në mënyrë të barabartë.
”E kemi ditur që nuk është kundërshtari i lehtë dhe paksa e vërtetë na ka munguar pak fat, besoj te faulli te Vedat, s’di a ke penal, ai me tha se ke. Kemi pasë raste, edhe referi u kanë kundër neve, në duelet 50-50 gjithmonë ka referu për ata. Kjo na ka penguar, kemi qenë të pafat, nuk o që edhe Izraeli ka luajtur dobët. Jam i bindur që e kemi ekipin për evropian,” tha ai.
Kujtojmë se të martën të përzgjedhurit e Alain Giresse do ta zhvillojnë ndeshjen e radhës në ‘Fadil Vokrri’ kundër Andorrës me fillim nga ora 20:45. /gazetametro.net