I mandatuari për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj, sot vizitoi familjen e ish presidentit Ibrahim Rugova, dhe pas takimit AAK lëshoi një deklaratë për media ku tha se ka marrë mbështetjen e vajzës së ish presidentit, deputete e Kuvendit të Kosovës, se do ta përkrah qeverinë e tij.
Edhe më herët është përfolur se një nga ata numrat që PAN vazhdimisht po thotë se i ka për formimin e qeverisë, është vota e Teuta Rugovës. Por, ajo deri tani ende nuk ka folur për këtë.
Siç mëson gazetametro.net, sot gjatë ditës, votën pro qeverisë Haradinaj, do ta konfirmojë edhe vet Teuta, përmes një deklarate për media.
Këtë e ka konfirmuar edhe gazetari Dardan Gashi, ish ministër i ambiendit, dhe dikur pjesë e Listës Rugova, bashkë me Ukë Rugovën dhe Astrit Haraqinë, në koalicionin e atëhershëm me AAK’në e Haradinajt.
PAN’it, për të arritur ta formojë qeverinë, minimalisht i duhen edhe dy vota të deputetëve shqiptarë, plus votat e minoriteteve. /gazetametro.net