Loading…

Votimi përmes postës për Dragashin nis më 29 nëntor

  • 25/11/2021 | 19:08

Votimi përmes postës për Dragashin nis më 29 nëntor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë me 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor 2021.


Përplasje mes anëtarëve të KQZ-së shkaktuan opsionet që Sekretariati i KQZ-së ofroi se kur duhet të fillojë votimi përmes postës, e që opsioni i parë ishte që të fillojë më 26 nëntor dhe të përfundojë më 10 dhjetor, ndërsa opsioni i dytë të fillojë më datën 29 dhe të përfundojë më 13 dhjetor.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet konform vendimit që kanë pranuar nga ana e Gjykatës Supreme.

Ai tha se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht 2021, e që numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është 1 mijë e 90 votues.

“Njëri rekomandim është që të fillojë me datën 26 nëntor dhe të përfundojë me datën 10 dhjetor dhe rekomandimi i dytë është që të fillojë më datën 29 nëntor dhe të përfundojë më datën 13 dhjetor kur është data e fundit kur duhet të dërgohen të gjitha zarfet apo pakot e supozuara me fletëvotime në adresën e KQZ-së. Krahas kësaj e kemi edhe një rekomandim tjetër që lidhet me dizajnin e fletëvotimit që do të përdoren në rivotimin në Komunën e Dragashit”, tha ai.

Këto dy opsione nuk gjetën përkrahje nga anëtarët e KQZ-së, ku disa nga anëtarët opsionin e parë e quanin të shpejtë, ndërsa opsionin e dytë si të vonshëm.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, u shpreh se përkrah datën 29 nëntor si datë për fillimin e votimit përmes postës, derisa tha se gjetjet e Gjykatës Supreme duhet të merren parasysh dhe të punohet që ato të mos evidentohen edhe në këtë raund.

“Edhe votuesit nga jashtë duhet të kenë kohën e tyre, pra duhet të kenë kohën në dispozicion që ky proces të mos bëhet në nguti, andaj jam që procesi të fillojë nga dita e hënë, 29 nëntor. Në anën tjetër edhe ne si KQZ të kemi mundësi që të shikojmë në Këshillin për Operacione Zgjedhore të gjitha këto të gjetura dhe t’i vendosim ato rekomandime që i kemi… Sa i përket fletëvotimit pash ndryshimet që u ofruan dhe jam dakord me këto ndryshime”, tha ai.

Me këtë propozim nuk është pajtuar anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi, i cili tha se duhet të gjendet një datë e ndërmjetme mes dy propozimeve të Sekretariatit, e që si propozim e dha datën 27 nëntor.

“Njërën e konsiderojë të shpejtë e njërën të vonshme. E shpejtë është nëse ne provojmë menjëherë nesër për të filluar procesin e votimit me postë. Është shumë e vonshme nëse e fillojmë diku katër, pesë ditë mbrapa. Prandaj, unë po kërkoj që edhe prej mënyrës qysh organizohet kjo me pa një datë të ndërmjetme, e që mendoj që do të ishte më datën 27 nëntor”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i LVV-së në KQZ Alim Rama tha se ky proces i rivotimit duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nëse jo nesër sa ma shpejt, bile edhe nesër mund të fillojë ky proces se e premtja kryhet ata që e kanë nijetin për të votuar ta votojnë”, tha ai.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se nëse Sekretariati është i gatshëm atëherë rivotimi mund të fillojë qysh nesër.

“Kush është për rekomandimin e parë, i pari me 26 nëntor të fillojë prej nesër. Sekretariati po thotë që ne jemi të gatshëm, unë po lidhem vetëm në bazë të fjalëve të Sekretariatit, nëse Sekretariati është i gatshëm edhe gjithçka shkon në rregull atëherë unë nuk di pse e shtyjmë. Nëse Sekretariati është i gatshëm që kjo të fillojë prej nesër, nuk kemi nevojë ta shtyjmë. Nëse Sekretariati ka ndonjë dyshim, atëherë edhe unë jam që shtyjmë”, tha ai.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për të rekomanduar kandidatin e radhës, Dragana Antonijeviq, nga subjekti politik Lista Serbe që do të zëvendësojë deputetin e deritashëm Ivan Todosijeviq, i cili ka aktgjykim të formës së prerë.

Ndryshe, Gjykata Supreme ka urdhëruar KQZ të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Gjykata ka pranuar pjesërisht ankesën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, duke refuzuar kërkesën e Xheladinit, që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.

Votat e diasporës në votimet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale të 17 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash. Pas numërimit të votave nga mërgata i pari në garë ka dalë Behxhet Xheladini nga LDK, ndërsa me vota të rregullta këtë komunë e kishte fituar Shaban Shabani nga PDK./

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë