Partia shqiptare në Mal të Zi, ‘Forca e Re Demokratike’, ka njoftuar dy ditë para zgjedhjeve presidenciale se nuk do të mbështesin asnjërin nga kandidatët për president pas vlerësimit se si Milo Djukanovic poashtu Jakov Milatovic nuk i kanë bindur se përkrahin mjaftueshëm kërkesat e tyre politike, transmeton Gazeta Metro.
Partia shqiptare e kryesuar nga deputeti shqiptar në kuvendin malazez Genci Nimanbegu ka dalë me kumtesë për media duke e shpjeguar qëndrimin e tyre neutral në dukje.
“Jemi thellësisht të pakënaqur me rrugën në të cilën është duke ecur Mali i Zi në këto dy vitet e fundit. Posti i Presidentit duhet të jetë i tillë që të garantojë që të drejtat tona të jenë në fokusin dhe në veprimtarinë e tij.”
Tutje theksohet arsyetimi i vendimit të tyre për të qëndruar anash në këto zgjedhje pasi nuk janë bindur me ofertën politike të të dy kandidatëve karshi shqiptarëve, megjithëse këto zgjedhje konsiderohen si pikë kthese e mundshme në orientimin strategjik të vet Malit të Zi se shtet pro-perëndimor ose jo.
“Duke analizuar ofertën e kandidatëve dhe rrugëtimin e tyre politik të deritanishëm, jemi të bindur se në këtë rrugëtim asnjëri nga kandidatët nuk kanë dëshmuar mjaftueshëm që do të përkrahin kërkesat tona politike. Kështu që në këtë raund nuk do të përkrahim asnjë kandidat dhe vendimin do t’ia lëmë votuesve të cilët mirë i dijnë kërkesat tona, aspiratat politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Ju rikujtojmë që këto aspirata kanë hasur pengesa të vazhdueshme nga politikat dhe mbështetësit e të dy kandidatëve.”
‘Forca’ tutje shpjegon se nuk ka kalkulim në këtë qëndrim dhe i këshillon shqiptarët që të rreshtohen në anën e drejtë të historisë e njejtë do të bëjnë edhe këtë herë siç pretendojnë. Theksojnë se do të bashkëpunojnë me cilindo qoftë fitues në zgjedhjet e të dielës.
“Ne nuk jemi kundër asnjërit kandidat dhe nuk jemi votues në rezervë. Ne shqiptarët përherë jemi rreshtuar në anën e drejtë të historisë. Prandaj jemi të bindur që edhe kësaj rradhe votuesit shqiptarë do të marrin vendimin e duhur. Të dielën votoni me qetësi pa pasur asnjë presion as hamendësim. Të hënën do t’i urojmë presidentit të zgjedhur mandatin pesëvjeçar dhe do të bashkëpunojmë me secilin për të siguruar avancimin dhe respektimin e të drejtave tona.”
Të dielën e kësaj jave mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi ku kandidatët janë rreshtuar qartë në krahun sovranist malazez me kandidat Milo Djukanovic dhe atë të mbështetur nga pro-serbët me Jakov Milatovic.
I gjithë spektri politik pro-serb përfshi Kishën Ortodokse Serbe kanë ofruar mbështetjen edhe zyrtarisht për kandidatin nga partia rishtas e themeluar ‘Evropa Tash’. Mes tyre partia hapur pro-serbe dhe pro-ruse Fronti Demokratik e me të edhe nisma qytetare URA e kryesuar nga Dritan Abazovic./gazetametro.net