Loading…

Vrasja e trefishtë në Gllogjan ende enigmë

  • 11/12/2021 | 08:15

Vrasja e trefishtë në Gllogjan ende enigmë

Të premten e 26 nëntorit, rreth orës 19:00 i gjithë vendi u trondit nga një rast i rëndë në Gllogjan të Deçanit. Aty një person i maskuar gjuajti me kallashnikov në drejtim të një autobusi, që la të vdekur tre persona, shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënës të shkollës së mesme, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.


Ndonëse, nga organet e rendit u tha se janë ‘mobilizuar’ për ta gjetur përgjegjësin krimit, as pas 14 ditëve autori nuk është kapur e as nuk është identifikuar. Madje deri tani, mister qëndron edhe motivi se pse është kryer kjo vepër.

Sinjali ka raportuar më 7 dhjetor, se në vazhdën e hetimit intensiv që po realizohet për rastin në Gllogjan, Policia ka kryer disa bastisje me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë, ku janë siguruar prova për veprat penale që lidhen me fajde dhe bixhoz, të cilat u janë transferuar Krimeve Ekonomike për hetim të mëtutjeshëm.

Gazeta merr vesh se Krimet Ekonomike të asistuara nga zyrtarët policorë, po zhvillojnë një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar për kryerjen e këtyre veprave.

Për lehtësimin e këtij procesi, Qeveria ka premtuar 20 mijë euro për këdo që ndihmon në kapjen e autorit/ëve që kanë kryer krimin makabër.

E sa i përket pistave të hetimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti të shtunën tha se ekzistojnë dy pista nga ku do të fillojë zbardhja e rastit.

Të dielën e 28 nëntorit, Kurti u takua me drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti. Pas këtij takimi, Kurti u shpreh se është rritur sasia e informacionit por nuk kanë ende zgjidhje.

“Mësova që i kanë shtuar përpjekjet, po rritet sasia e informacionit, mirëpo ende nuk e kemi zgjidhjen. Kur jemi në prag të 48 orësh, fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen, por nuk po mungon angazhimi. Janë shtuar numri i zyrtarëve të cilët po merren me hetimin dhe hulumtimet, në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti.

Ndërsa, prokurorja e rastit Sahide Gashi ka thënë se kanë disa indikacione në lidhje me rastin.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha Gashi të hënën.

Përmes një konference për media që u mbajt më 27 nëntor, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka shpallur ultimatum autorit/ autorëve të krimit në Gllogjan që të dorëzohen.

Tri viktimave, më 28 dhjetor iu dha lamtumira e fundit. Dy nxënësit u varrosën në varrezat e fshatit Gllogjan, ndërsa shoferi u varros në Skivjan të Gjakovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë