Vetëm 17-vjeç, por Florian Pervathi duket se e kishte të qartë drejtimin e jetës së tij, pas vrasjes së të atit, 13 vite më parë kur ai ishte vetëm 4 vjeç e megjithatë i mbushur me mllef.
Qëllimet e tij, në një farë mënyre, Prevathi i bënte publike edhe në Instagram, ku në përshkrim e profilit të tij shkruan: ” Nuk jam hakmarrës, thjesht rikthej nderin”.
Ndërkohë, në një tjetër postim, i mituri ka publikuar një foto ku shkruhet: “Mos u dorëzo kurrë, gjërat e mëdha kërkojnë kohë”. “Rrini gati për gjithçka, shkaku se jeta është e padrejtë”, shkruhet në një tjetër postim të Florianit.
Drejtësia e cunguar që solli gjakmarrjen në Lezhë, vrasësi i babait të 17-vjeçarit bëri vetëm 7 vite burg
13 vjet më parë, vëllai i viktimës, Ndue Lekgjonaj kishte vrarë babanë e Florianit pas një sherri për motive të dobëta mes fqinjëve. Për vrasjen me dashje të Gjon Përvathit, Ndue Lekgjonaj ishte dënuar me 10 vite burgim një dekadë më parë. Dhënia e minimumit të dënimit nga gjyqtarja Gentiana Muçaj dhe aplikimi i dënimit të shkurtuar bëri që ai të lërë qelinë brenda 7 vitesh dhe të largohet jashtë vendit.
Drejtësia e cunguar dhe dogma kanunore duket se ndikuan në formimin e adoleshentit i cili ekzekutoi Lek Lekgjonaj, pa faj, vetëm se është vëllai i personit që i kishte vrarë babanë. Për të tashmë nis saga e përballjes me drejtësinë si dhe hap një plagë të rëndë siç është gjakmarrja mes dy fiseve.
I vranë babanë kur ishte 4 vjeç, ky është i mituri që qëlloi për vdekje 65 vjeçarin për gjakmarrje