Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, si nikoqir i takimit të radhës për Ballkanin e Hapur doli sfidues dhe ca zhgënjyer me ngecjet e premtimeve të mbledhjes së fundit në Maqedoninë e Veriut. Shtoi se po rrafshojnë gungat në nismën e tyre me ndihmën e miqve amerikanë dhe të Këshillit të Atlantikut që kanë shkuar në Beograd nga Prishtina dhe Sarajeva. Megjithëse, Vucic dhe Rama i mëshuan aspektit ekonomik të nismës telashet politike të Ballkanit tërhoqën vëmendjen përsëri, transmeton Gazeta Metro.
Vucic tha se dyert janë të hapura si për Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën dhe se “ të mirëpritur janë ata që duan, a kush nuk do – si detyron kush”.
“As që më bie ndërmend t’i arsyetohem dikujt për çfarëdo, as në BE e as në rajon, Të gjithë e keni parë këtë nismë të pastër, nismë të mirë. Ne po e bëjmë këtë për shkak të qytetarëve tanë dhe përse duhet të arsyetohemi për diçka të mirë që po bëjmë?, tha Vucic dhe shtoi se me Kosovën do të zgjedhin problemet përmes dialogut në Bruksel.
Vucic u krenua se pas takimeve me shoqatat e biznesit në të tre shtetet dhe kanë mbështetjen e tyre 100 për qind derisa pranoi se kanë dështuar të nisnin si duhet këtë iniciativë, ku shfrytëzoi rastin të lëvdohet se kanë mbështetje nga miqtë amerikanë siç tha.
“Ajo që është irrituese për ne është fakti se edhe atë që po pajtohemi nuk arritëm ta zbatojmë. U pajtuam që të formojmë Këshillin Zbatues dhe do të publikojmë përbërjen e saktë të këtij këshilli. Në veçanti i jam mirënjohës Këshillit Atlantik, miqve nga SHBA, që na kanë ndihmuar e sollën njerëz nga Prishtina dhe Sarajeva, që kontribuuan në digjitalizimin e të gjithë rajonit.”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që po qëndron në Beograd si njëri prej themeluesve pati kritika dhe mirëkuptim për BE’në për ngecjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Sikur presidenti serb edhe kryeministri shqiptar theksoi çështjet praktike të zbatimit në terren të nismës.
“Sot, për dallim nga takimet e tjera, u përqendruam tek qytetarët që do të shfrytëzojnë Ballkanin e Hapur. Sipërmarrësit njëzëri e kanë mbështetur Ballkanin e Hapur dhe kanë kërkuar që ajo që u nënshkrua të shndërrohet në një realitet të prekshëm në kufij. Kemi eksportues nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, që eksportojnë pemë dhe perime të freskëta apo qumësht të freskët, e këto janë prodhime që nuk mund të qëndrojnë me ditë në kufi. Është e pamundur të arrini në kufi të premten në mbrëmje e të prisni deri të hënën, qumështi do të shndërrohet në kos”.
Rama u ankua se ka edhe qëndrim të përbashkët për BE që po bllokon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në procesin e anëtarësimit – duke shtuar që BE’ja duhet të ndërmarrë disa hapa që t’i afrohet rajonit.
Kryeministri shqiptar Rama tha se Ballkani i Hapur nuk është në kundërshti me Procesin e Berlinit, dhe se është i hapur për të gjitha shtetet e rajonit , jo vetëm për tre shtetet anëtare./gazetametro.net