Kryeministri aktual i Serbisë dhe kryetari i ardhshëm i këtij vendi, Aleksandar Vucic, i ka ftuar përfaqësuesit e Prishtinës e të Brukselit për vazhdimin e dialogut në mënyrë që, siç ka thënë ai, të zvogëlohen tensionet aktuale dhe që të evitohet çdo incident që eventualisht mund të dërgojë te katastrofa në Kosovë, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se Daut Haradinaj, vëllai i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish – kryeministrit Ramush Haradinaj, “nuk është naiv dhe se nuk janë naive kërcënimet e tij se në Kosovë nuk do të mbetet asnjë serb nëse vëllai i tij ekstradohet në Serbi”.
“Një fletë arrest dhe ai për vepër penale, nuk bën të jetë kërcënim për ekzistencën e tërë një populli. Kjo thjesht është e palejueshme. Këtë nuk mund ta përkrahë shteti i Serbisë, as asnjë vend në botë dhe këto kërcënime meritojnë dënimin më të rreptë”, citojnë medie serbe të ketë thënë Vucic.