Ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, u ankua sot se Parlamenti Evropian iu kërkoi që t’i “bashkohen luftës me Rusinë dhe të njohin Kosovën”, transmeton Gazeta Metro.
Ministri serb Vulin i njohur për deklarata të shfrenuara anti-evropiane, një të tillë siç pritej e lëshoi edhe sot pas miratimit të rezolutës për Serbinë në Parlamentit Evropian ku kërkohej njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë.
“Për nisjen e armiqësisë me Rusinë, që me shekuj e shpeshherë e vetmja aleate në momentet më të vështira të ekzistencës tonë, Bashkimi Evropian si shpërblim po na e ofron të njohim si shtet Kosovën. Me siguri në Parlamentin Evropian është dikush që edhe e mendon se Serbia do ta pranonte këtë, por një mendje e tillë ende nuk është dokumentuar në shkencë” shkruhej në komunikatën e ministrisë së Vulin.
Vulin vazhdoi më tej me hipotezat e tij dhe e kritikoi Bashkimin Evropian për tirani dhe shteti serb qenka pengesë për ta pasi i reziston presionit të tyre. Prej se nisi konflikti në Ukrainë sipas Vulin, Bashkimi Evropian ata po sillen jo si një aleancë shtetesh, por një grup territoresh që nuk kanë politikë të tyren, e as interesa të tyre. Për këtë arsye po iu pengon Serbia e pavarur.
“E vetmja që gjë Bashkimi Evropian do të mund t’i kërkonte Serbisë është që në vazhdimësi t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare, për keqardhje që Parlamenti Evropian nuk ia kërkon këtë vetes” u ankua Vulin dhe shtoi lëvdatën e detyrueshme për shefin e tij: “Derisa Aleksandar Vucic t’i prijë Serbisë, ajo nuk do të bëhet pjesë histerisë anti-ruse, si dhe nuk do ta pranojë Kosovën”.
Parlamenti Evropian të mërkurën miratoi rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.
Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE’së nuk e njohin Kosovën, por PE’ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.
Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE’së./gazetametro.net