Kryeministri serb Aleksandar Vuqiq ka reaguar ndaj emërimit të ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina në postin e këshilltarit qeveritar, shkruajnë mediat serbe.
Vuqiq tha se “e ka kuptuar mesazhin” që dërgoi Kroacia kur e emëroi ish të akuzuarin nga Tribunali i Hagës për krime lufte.
“Me siguri se serbët e dëbuar nga Krajina dhe Kroacia nuk mund të jenë të lumtur”, tha Vuqiq. “Nuk dua të dëmtoj marrëdhëniet tona me Kroacinë, por ne e kemi marrë qartë mesazhin e dërguar nga ata me rastin e caktimit të Gotovinës”.
Ante Gotovina u caktua këshilltar për siguri në Ministrinë kroate të Mbrojtjes gjatë kësaj jave.
Ai ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe më 2011 iu caktuan 24 vjet burg për pjesëmarrje në operacionin ‘Stuhia’ gjatë luftës në Kroaci më 1995. Por, ky vendim u shpalli pavlefshëm një vit më vonë kur apeli e liroi atë. /gazetametro.net