Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon ta kundërshtoj marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim ekonomik, shkruan Gazeta Metro.
Pas liderit të VV’së, Albin Kurti i cili kritikoi marrëveshjen e Uashingtonit, tani këtë po e bën edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Konjufca thotë se e mira e marrëveshjes në Washington është vetëm vendosja e relacioneve diplomatike me Izraelin, për të cilën thotë se është pika më e fuqishme që është identifikuar ekipi dialogues.
“Kur t’i vendosim katër pika tjera karshi kësaj, që është fillimisht tërheqja nga njohja, e dyta është krijimi i kësaj zone të lirë ekonomike bashkë me Serbinë ku ka pranuar të hyjë Qeveria e Kosovës në të ashtuquajturin projekt i Mini-Shengenit. Pra, para se të na njohë Serbia do që të krijojë një zonë të përbashkët ekomomike me Kosovën. Edhe Kosova kishte refuzuar deri tash me këtë Qeveri. Kosova e ka kritikuar vazhdimisht deri në momentin kur e qiti nënshkrimin Avdull Hoti”.
“Përveç kësaj, për herë të parë në historinë e negociatave po fillojnë të relativizohen resurset e Kosovës. Nuk ka ndodhur në ndonjë proces prej 33 raundeve të problematizohen resurset e Kosovës. S’mbaj mend të jenë përmendur Ujmani apo Trepça sepse kjo është konsideruar se është çështje e ndjeshme dhe ka pasë rezistencë nga ana e Kosovës që këto të mos hapen sepse janë resurset më të rëndësishme të Kosovë Dhe këtu për herë të parë e kemi sikur edhe Serbia me qenë edhe hisenike e Ujmanit, që është shumë problematike për Kosovën”.
“Pika e katërt shumë negative për Kosovën është gatishmëria me vullnet të plotë që të suspendojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pra, subjektivitetin ndërkombëtar një shtet e ushtron edhe duke e pasë të drejtën e vet për aplikim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare”.
Konjufca në Rubikon tha se për këtë heqje dorë e fajëson Qeverinë e Kosovës duke thënë se SHBA pa kursyer asgjë ka përkrahur Kosovën në anëtarsimin e saj në organizata ku ka pasë ndikimin. Ai shton se në këtë drejtim nuk është interes i SHBA-së që Kosova të pezullojë këtë aktivitet tepër të rëndësishëm për shtetësinë e saj.//gazetametro.net