Loading…

VV – LDK dhe ndarja me Shqipërinë

  • Nga

  • 31/10/2019 | 20:31

VV – LDK dhe ndarja me Shqipërinë

Koalicioni mes VV’së dhe LDK’së do të ketë shumë çështje të rëndësishme para vetes, njëra nga to është raporti zyrtar me Shqipërinë, një çështje shumë e ndjeshme. 

Shkruan – Faton Abdullahu

Një  çështje shumë e rëndësishme dhe e ndjeshme me të cilën do të ballafaqohet VV që në fillim të qeverisjes së saj (kjo veçse ka filluar) është raporti me Tiranën zyrtare. Në këtë drejtim në gjithë periudhën e saj opozitare VV nuk ka bërë asgjë, ama bash asgjë. Prandaj ky është një raport me të cilën VV do të ballafaqohet ‘ad hock’. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se në këtë rrugëtim krejt të ri, si Qeveri, bashkudhëtare qeverisëse do ta ketë LDK-n e cila as që ka marrë mundin ndonjëherë viteve të fundit të krijoj ndonjë lloj bashkëpunimi me Tiranën zyrtare apo edhe me këdo qoftë atje, mund të konstatohet se në një të ardhme të afërt raporti Prishtinë – Tiranë do të jetë i zbehtë, me shumë të papritura, e për rrjedhojë në mungesë të strategjive të përpunuar më herët, edhe më shumë probleme. A kam të drejtë të konstatoj kështu?

VV në gjithë veprimtarinë e saj opozitare ka folur pandalshëm për ‘bashkim kombëtar’. Përkundër kësaj, këtë proces nuk e ka begatuar as quar përpara në asnjë variant, bile as në atë teorik e të mos flasim për atë praktik. Nga VV as sot e kësaj dite nuk merret vesh se çfarë nënkupton ajo me ‘bashkim kombëtar’. A nënkupton kjo, bashkim i Kosovës me Shqipërinë apo është diçka tjetër. Nëse është diçka tjetër çfarë është kjo diçka tjetër. Duket se VV nuk e ka marrë mundin ta sqaroj gjithë këtë temë, sepse atë si parti do ta vendoste në pozitë jo të mirë, prandaj ka preferuar ta lë që kjo të kuptohet ashtu sikundër është kuptuar paushall –  VV është për bashkim kombëtar – por pa dhënë përgjigje për çfarë bashkimi kombëtar e ka fjalën. Problemi më i madh i VV-s në raport me përafrimin, bashkëpunimin apo edhe (siç e preferojnë VV-istët) i bashkimin me Shqipërinë është fakti se VV nuk ka preferuar që me asnjë forcë politike në Shqipëri të bashkëpunoj për këtë kauzë. Për më shumë ajo është nisur nga ideja se për këtë të ashtuquajtur kauzë, pra bashkim kombëtar sipas VV, do të krijoj një ‘VV extention’ një si degë të saj në Tiranë dhe mandej gjithandej në Shqipëri dhe të krijoj një lidhje të re mbi këtë pjellë politike të saj atje. Pra VV-s nuk i është dukur e përshtatshme as e preferuar PD-ja as Lulzim Basha apo Sali Berisha. Nuk i është dukur as edhe PS-ja dhe Edi Rama edhe pse janë ideologjikisht vëllezër. Për këtë kauzë VV nuk ka preferuar, duket as kërkuar, asnjë forcë tjetër si partnere politike nga Shqipëria. Çfarë mungese pragmatizmi për kohë të gjatë, çfarë megalomanie ideore, çfarë qasje plotësisht përjashtuese dhe për më keq komplet me efekte kundër kauzës për të cilën ka trumbetuar VV tash e sa vite.

Duket se VV-ja, që të dyja këto forca politike në Shqipëri (PD dhe PS)  dhe jo vetëm ato, i ka konsideruar të korruptuara, të ndikuara nga jashtë për të keq dhe ka kalkuluar se bashkëpunimi me cilëndo prej tyre nuk do t’i sjell imazhit të saj prej opozitareje të papërlyer politikisht përfitime. Por tani gjërat kanë ndryshuar. Në të vërtetë janë shfaqur ashtu siç janë, por pa mundësinë për ti kamufluar dhe anashkaluar dhe tani VV, me Kurtin në krye si Kryeministër në ardhje, duhet të ballafaqohet me realitetin. Prandaj deshi apo nuk deshi me patjetër Kurti nuk mund ta anashkaloj as kamufloj këtë realitet, dhe ditë më parë edhe u takua me z. Rama majtistin që ‘përzihet’ në punët e Kosovës, por edhe me z. Berisha, djathtistin e devotshëm nga Tirana, që konsideron tani, ndryshe nga dikur, se mos përzierja është e dobishme për Prishtinën. Për të gjitha këto VV nuk është e papërgatitur, sepse ka pa ëndrra politike të ndërsyera me populizëm, ashtu si i ka konvenuar, por ato ju kanë shitur për merak gjithandej, sidomos tek një pjesë e rinisë, duke ju konvertuar të gjitha në simpati dhe vota. Tash e tutje çdo gjë në raportin Tiranë Prishtinë VV do ta projektoj ‘ad hock’.  Brengosëse.

Kosovacentrizmi i LDK-së

Raporti i ardhshëm Prishtinë – Tiranë merr dimension nga brengosës deri në alarmant, kur të kuptohet se një populizmi të tillë megaloman të VV-s, në këtë segment, i bashkëngjitet LDK-ja e cila tash e shumë vite ka qasje herë anashkaluese e herë përjashtuese ndaj çfarëdo lloj përafrimi apo bashkëpunimi sidomos atij politik me Tiranën zyrtare. Jo zyrtarisht në LDK kanë qëndrim shprehur me një ‘urëti barkplasëse’ sa i përket bashkëpunimit me Tiranën zyrtare, por edhe me të gjithë në Shqipëri që mund të përmblidhet me një fjalë ‘hiqu tyne’. Kështu mendojnë ata të LDK-së dhe kështu veprojnë. E pabesueshme por kjo është shumë e vërtetë tash disa vite. Gjithnjë e më shumë LDK nuk po e kamuflon këtë qasje. Bile disa po e bëjnë me rrahagjoks duke e konsideruar patriotizëm përlargimin me Tiranën zyrtare, sado që disa të tjerë nuk e duan këtë qasje, por ata moti janë spostuar pahetueshëm në rendin e tretë e të katërt të kësaj partie. Thjeshtë kosovacentrizmi i LDK-së është i përçudnum tash sa kohë. Ky gjithsesi do të jetë problem në qeverisjen VV – LDK sidomos në raport me Tiranën zyrtare. Për shembull në tubimet të ndryshme të cilat i organizon LDK-ja, në përvjetorë, manifestime, shënime të datave të ndryshme, asnjëherë, pa përjashtim asnjëherë, LDK nuk e intonon himnin kombëtar shqiptar. Intonohet himni i shtetit të Kosovës dhe një këngë tjetër ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’ një këngë patriotike që ishte e përzgjedhur nga Presidenti Rugova për tu bërë himn i Republikës së Kosovës. Edhe pse në atë kohë propozim me vend, siç dihet kjo nuk u bë. Por në LDK vazhdojnë ta këndojnë e ti rijnë gatitu kësaj kënge duke pretenduar që një ditë ta bëjnë himn, por duke mos e vërejtur se tash sa kohë ajo nuk ka mbet asgjë tjetër veçse një këngë partiake e cila për më keq dhe si duket qëllimshëm ja zë vendin himnit kombëtar shqiptar. Se çfarë është raporti i LDK-së me Shqipërinë, por edhe me krejt shqiptarët jashtë Kosovës, apo thënë ndryshe se e çfarë natyre është kosovacentrizmi i LDK-së e shpreh mirë edhe përdorimi rrallë e hiç i flamurit kombëtar shqiptar nga ky subjekt. Në LDK preferojnë përdorimin e flamurit të Presidencës apo sikundër e quajnë ‘Flamuri i Rugovës’ duke e bishtnuar kështu qëllimshëm nevojën e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptarë.  Përsëri bëjnë gabim sepse duke e përdorur këtë flamur, të cilin tashmë e kanë kthyer në simbol partiak të LDK-së, ja kanë humbur çdo kuptim kërkesës që  ky flamur të jetë stemë zyrtare e Presidentit të Kosovës. Në LDK ka njerëz me qasje të tilla të një kosovacentrizmi ekstrem e të prapambetur sa që po të ishte e mundur do ta ndryshonin edhe tabelën e shumëzimit vetëm që të mos jetë e njëjtë me atë që përdoret në Shqipëri.

Thënë përmbledhtazi me këto dallime përmbajtësore ndërmjet VV-së  dhe LDK-së në këtë segment, pra në atë të bashkëpunimit me Tiranën zyrtare dhe përgjithësisht me Shqipërinë, shumë probleme do të shfaqen në rrugëtim e sipër të qeverisë në ardhje. Sipas të gjitha gjasave do të ketë improvizime dhe defekte më shumë se kurdoherë më parë dhe përafrimi e bashkëpunimi me Tiranën zyrtare do të jetë pa strategji të përpunuar mirë por me taktizime ‘ad hock’ prej të cilave qytetarët e dy shteteve tona nuk do të përfitojnë, kurse më shumë se përafrim e bashkëpunim me Tiranën do të ketë hezitim keqkuptime bile edhe ndarje.

(Autori është analist i njohur politik, kolumna është e shkruar enkas për Gazetën Metro)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë