Qytetarë serbë të cilët në të kaluarën kanë pasur të drejtë vote në Kosovë por kanë ndërruar jetë vite më parë, figurojnë si votues në zgjedhjet e 6 tetorit në listën e votuesve jashtë Kosovës, konkretisht Serbi.
Në votat e ardhura me postë nga Serbia, të cilat u shpallën të pavlefshme në një vendim të PZAP-së të hënën, figurojnë edhe votues që nuk jetojnë më.
Zorka Nikshiq, një grua nga Serbia e cila në të kaluarën ka pasur të drejtë vote në Kosovë, por që ka ndërruar jetë më 2018, ka figuruar si votuese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Sipas një shpallje për të vdekurit, rezulton se Zorka Nikshiq ka ndërruar jetë më 9 nëntor të vitit të kaluar.
E në listën e votuesve nga jashtë Kosovës në zgjedhjet e fundit, figuronte edhe emri i Dobrivoje Ivanoviq, një ish-qytetari serb nga Kosova që ka ndërruar jetë në vitin 2002.
Për vdekjen e Dobrivoje Ivanoviq ka shkruar më 9 tetor Miqa Ivanoviq, djali i tij. Ka thënë se e ka pritur që babai i tij të rezultonte në listën e votuesve nga jashtë.
Ndonëse gati të gjitha votat e ardhura me postë nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit i takuan Listës Serbe, ky subjekt nuk është ankuar në Gjykatën Supreme pas anulimit të këtyre votave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ankesën pranë Gjykatës Supreme e kanë dorëzuar tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë: Alban Hyseni, Arta Bajralija dhe Enver Haliti.
Tre deputetët e Vetëvendosjes, pas vendimit të PZAP-së për anulimin e votave nga Serbia, e dorëzuan ankesën për anulim të vendimit të PZAP-së me arsyetimin se janë vënë në mbrojtje të “së drejtes së tyre si deputetë të zgjedhur”