Lajmi për një koalicion të mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë, u finalizua sot me nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Përmes një njoftimi për media, Vetëvendosje ka bërë të ditur nënshkrimin e këtij koalicioni dhe ka dhënë detajet e arsyet e lidhjes së këtij koalicioni.
Për Vetëvendosjen qyteti i Mitrovicës është i rëndësishëm për shkak të pretendimeve ekspansioniste që ka Serbia karshi pjesës veriore.
“Për këtë duhet një qasje politike që i përgjigjet këtyre pretendimeve. Qëndrimet e kryetarit të Mitrovicës kanë qenë edhe parimore dhe konsistente. Në këtë drejtim dhe me këtë synim Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur marrëveshje të bashkëqeverisjes me kryetarin Bahtiri, në këta muaj të mbetur të qeverisjes”, thuhet në njoftimin që transmeton gazetametro.net.
Vetëvendosje mendon se situata politike dhe e sigurisë në Mitrovicë është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe kjo sipas tyre duhet të nënkuptojë angazhim më të shtuar të forcave që besojnë në një Mitrovicë të zhvilluar, prosperuese dhe që merren me probleme të dala që nga paslufta deri më tani.
Me këtë marrëveshje politike, Vetëvendosje thotë se do angazhohen për një qeverisje lokale profesionale, të guximshme dhe të ndershme.
Lëvizja Vetëvendosje siç edhe kanë bërë të ditur përmes këtij njoftimi do të qeverisë me Drejtorinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Arsimit dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Kurse nënkryetari i komunës së Mitrovicës do të jetë Faruk Mujka.
Vetëvendosje përmes këtij njoftimi thotë se zotohet se do ta kryejë me përgjegjësi të plotë dhe me përkushtim obligimin që ka marrë për këto drejtori./gazetametro.net