Loading…

VV vazhdon të mos zbatojë Kushtetutën, vazhdimi i seancës sot në 11

  • 08/08/2026 | 08:35

VV vazhdon të mos zbatojë Kushtetutën, vazhdimi i seancës sot në 11

11 orë pas kalimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, është ftuar vazhdimi i seancës së mbetur në gjysmë të enjten, veprim ky që u pa si jokushtetues nga aktorë opozitarë e anëtarë të shoqërisë civile.


Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mosrespektim të rregullave dhe ligjeve, duke bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet pa vonesa.

“Demokracia nënkupton respektimin e rregullave, ligjeve dhe rregulloreve mbi të cilat jemi ndërtuar si shtet. Albin Kurti, me një kryeneçësi të paparë, po refuzon të respektojë çdo rregull, çdo ligj, çdo normë. Ne jemi mbledhur sonte këtu, e kemi takimin e Grupit Parlamentar dhe do t’ju njoftojmë për vendimet tona, por një gjë do t’ju them: PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues. Kur flasim për Kushtetutën, shumë mund ta nënkuptojnë vetëm një libër, një copë letër, por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë dhe sakrifica të bëra jo vetëm në luftën e fundit, por me dekada e shekuj. Ne e kemi për detyrë ta nderojmë rendin, ligjin dhe Kushtetutën. I bëjmë thirrje Albin Kurtit që sonte të vijë në Kuvend, ta konstituojë Kuvendin dhe të ecim tutje. Edhe një herë, Kosova është më e madhe se çdo parti dhe se çdo lider. Ju ftoj të ecim përpara”, tha Çitaku.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar pasoja për funksionimin institucional të vendit.

“Qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë këtij procesi: Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”, u tha në deklaratë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit deri më 7 gusht 2026, në orën 24:00, përbën shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Megjithëse afati është shkelur, Kushtetuta nuk përcakton shpërndarjen automatike të Kuvendit, përsëritjen e zgjedhjeve apo ndonjë pasojë të drejtpërdrejtë për kryesuesin e seancës. Mungesa e sanksionit nuk e ligjëson shkeljen, por as nuk e pamundëson vazhdimin e procesit. Prandaj, deputetët e të gjitha partive duhet të marrin pjesë nesër në seancë, të votojnë për Kryetarin dhe nënkryetarët dhe ta përfundojnë konstituimin pa vonesa të tjera. Shkelja e afatit nuk duhet të përdoret si arsyetim për bojkot ose bllokadë të re”, thuhet nga IKD.

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, tha se mbajtja e seancës pas skadimit të afatit 30-ditor është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Meqë tash është vënë në pah ky afat, duhet të respektohet dhe çdo gjë mbi këtë është jokushtetuese. Seanca e nesërme, për mua, është jokushtetuese. Është jokushtetuese sepse mbahet pas afatit 30-ditor”, deklaroi mes tjerash Daka.

Ndërkaq, deputetët e opozitës të premten mbrëma shkuan në Kuvend, por sallën e gjetën të mbyllur, gjë që u cilësua e papranueshme nga Eugen Cakolli i IKD-së, i cili tha se duhet të gjendet urdhëruesi për këtë.

“Absolutisht skandaloze dhe e papranueshme që deputetëve t’u mbyllet dera e sallës plenare dhe, rrjedhimisht, t’u pamundësohet fizikisht ushtrimi i funksionit”.

Cakolli fajtor për këtë veprim e bëri kryesuesin e Seancës Konstituive, Avni Dehari, për të cilin tha se “nuk ka kurrfarë autoriteti mbi hapjen, mbylljen apo qasjen fizike në sallë”.

“Kompetenca e tij kufizohet në drejtimin e punimeve të seancës. Administrata, ndërkaq, ekziston për t’i mbështetur deputetët dhe për t’ua mundësuar ushtrimin efektiv të mandatit, jo për t’i penguar ata. Rasti kërkon llogaridhënie, përgjegjësi institucionale dhe disiplinore, e madje, sipas rrethanave, vlerësimin edhe të çdo përgjegjësie tjetër ligjore. Këto pamje nuk i përkasin një shteti demokratik. Tek e fundit, salla plenare i përket vetëm dhe vetëm deputetëve të Kuvendit”, potencoi Cakolli.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë