E plotësuar:
23:20 – Pas vdekjes së një të paraburgosuri, ka reaguar edhe kryetari i VV’së, Visar Ymeri dhe avokati Tomë Gashi. Të dy e konfirmojnë se personi që vdiq sot ishte personi i fundit që e kishte parë të gjallë Astrit Deharin, e po ashtu ishte i pari që e kishte parë atë të vdekur.
‘Naser Makolli ishte ndër të fundit që e kishte parë Astritin të gjallë. Dhe ndër të parët që e kishte parë frymën e fundit të tij’, ka thënë kreu i VV’së.
Ndërkaq Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari, ka thënë se Makolli ka pasur shumë se çfarë të thotë për vdekjes e Astrit Deharit.
Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se vdekja e sotme e një të paraburgosuri në burgun e Lipjanit, ka ndodhur pasi ai ka qenë dëshmitar kryesor për vdekjen e Astrit Deharit.
Për këtë vdekje të Naser Makollit, kanë reaguar deputetë e anëtarë të VV’së, të cilët kanë thënë se i vdekuri i sotëm në QKMF, e që ishte i paraburgosur për ‘vrasje të rëndë në ndihmë’, ka qenë i pari që ka hyrë në dhomë menjëherë pas vdekjes së Astrit Deharit.
I pari që ka reaguar ka qenë Xhelal Sveçla, e pas tij edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Më pas reagime kanë ardhur edhe nga deputeti Fisnik Ismajli, ndërkaq reagime ka pasur edhe nga aktivistë të VV’së, shkruan gazetametro.net.
‘Në burgun e Lipjanit vdes dëshmitari kryesor, ish-cimeri i dhomës së Astrit Deharit. Çka po ndodhë…’, ka shkruar Sveçla.
Pas tij, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur emrin e personit të vdekur sot, duke treguar se ai ishte i pari që ishte future në dhomë pas vdekjes së Deharit.
‘Kur në burg humbi jetën Astrit Dehari, i pari që hyri në dhomë ka qenë i burgosuri Naser Makolli. Sot, ky dëshmitar kyç ka vdekur në burgun e Lypjanit. Ende pa u hetuar në mënyrë të pavarur…’, ka shkruar i pari i Prishtinës.
Ndryshe, gazetametro.net sot ka raportuar për vdekjen e një të paraburgosuri në Lipjan, i cili ishte dërguar në Emergjencën e Lipjanit, ku edhe kishte ndërruar jetë./gazetametro.net