Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi raportet financiare të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për periudhën korrik-shtator 2026, duke bërë të ditura shumat që subjektet politike kanë deklaruar se i kanë shpenzuar gjatë tremujorit të tretë të vitit, shkruan Gazeta Metro.
Sipas këtyre raporteve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin në listën e katër partive me shpenzimet më të larta, me gjithsej 269.544 euro të deklaruara për këtë periudhë.
VV’ja e Kurtit shpenzoi mbi 269 mijë euro në tremujorin e tretë të vitit 2026
Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka raportuar shpenzime prej 212.394 eurosh. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar 163.644 euro shpenzime për të njëjtën periudhë.
Shumë më pak ka raportuar Aleanca, me shpenzime në vlerë prej 62.675 eurosh gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator.
KQZ publikon shpenzimet e partive politike për muajt korrik-shtator, ja sa deklaroi Aleanca
Në total, katër subjektet politike kanë deklaruar shpenzime prej 708.257 eurosh për tremujorin e tretë të vitit 2026.
Dallimi mes partive vërehet edhe në shumat e deklaruara ku Vetëvendosje ka raportuar 57.150 euro më shumë shpenzime sesa PDK-ja, 105.900 euro më shumë se LDK-ja dhe 206.869 euro më shumë se AAK-ja.
Shpenzimet e partive politike: LDK’ja renditet e treta për periudhën korrik-shtator
Raportet janë publikuar nga KQZ-ja në kuadër të detyrimeve ligjore për deklarimin e financave të subjekteve politike, me synim të transparencës mbi shpenzimet e tyre.
Dokumentet financiare për periudhën korrik-shtator 2026 mund të konsultohen në faqen zyrtare të KQZ-së, në këtë vegëz: https://kqz-ks.org/raportet-financiare-tremujore/.