Lidhja që ka kuratori anglez James Walmsley me Kosovën shkon përtej artit. Ishte i ri në këtë profesion kur mori përsipër që të hulumtojë skenën artistike kosovare, për ta prezantuar atë më pas në vendin e tij. Si rezultat i kësaj, u bë pjesë e tri projekteve të mëdha artistike.
Ekspozitat “Fragile State: Art from Kosova”, “Bogujevci/Visual History” dhe “Voices of Kosovo in Manchester”, prapa vetes bartin emrin e tij si kurator. Historia e Kosovës, ajo e luftës, ka qenë pika kryesore, shkruan “Koha Ditore”.
Përmes veprave të artistëve kosovarë ai i ka treguar botës për luftën, për trazirat, masakrat dhe shpresën. Ka lidhje me këtë vend nga viti 2005. Që nga ajo kohë me punë ka dëshmuar interesimin dhe vlerësimin që i bën artit dhe artistëve kosovarë.
Të martën Walmsley erdhi në Prishtinë për të rrëfyer këtë rrugëtim të tij nëpër histori, nëpërmjet artit. Galeria Kombëtare e Kosovës u bë nikoqire e ligjëratës ku Walmsley zbuloi detaje të përgatitjeve rreth ekspozitave, e njëherësh edhe për projektin e tij të radhës me artistin e njohur kosovar Xhevdet Xhafa.
Walmsley do të jetë kurator i ekspozitës personale të Xhafës, e cila do të hapet në Galerinë Kombëtare të Shqipërisë në shtator të këtij viti./gazetametro.net