Kandidati i Nisma për Kosovën, Isa Xhemajlaj, ka akuzuar PDK-në për, siç e ka quajtuar ai, shantazh ndaj shërbyesve civilë, shkruan Gazeta Metro.
Për Gazetën Metro, Xhemajlaj ka thënë se diferenca e PDK-së në vota, ka ndodhur pikërisht për shkak të këtij shantazhi.
“50% nuk e di kush e ka zgjedh atë përqindje, është e vërtetë që e ka një diferencë, po atë diferencë e ka marrë për shkak që i ka kërcënu apo i ka shantazhu gjithë shërbyesit civilë, pastaj i ka përdorë krejt aparatet shtetërore”, ka thënë Xhemajlaj.
Sipas Xhemajlajt, ky balotazh më së shumti është si rezultat i mashtrimeve që u janë bërë qytetarëve këto vitet e fundit nga ana e PDK-së.
Isa Xhemajlaj, i cili edhe vetë ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, u shprehë se tashmë PDK-ja në përbërje ka njerëz të grupeve të interesit.
“PDK-në ju e di që pas lufte e kanë formu një kategori e njerëzve që kanë bërë shumë për vendin mirëpo me vazhdimin e kohës PDK-ja ka pësu ndryshime në përbërjen e saj duke marrë njerëz prej grupeve të interesit gjegjësisht njerëz të bizneseve njerëz që dinë me marrë taksën e qytetarit din me e shfrytëzu”, ka thënë kandidati nga rradhët e NISMA-s.
Ramiz Lladrovci, “kalorës” që ka ardhur nga AAK-ja
Ai gjithashtu, kandidatin nga rradhët e PDK-së Ramiz Lladrovcin, i cili sipas tij ka kaluar në PDK nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si edhe disa të tjerë, i ka quajtur si kalorës që cilado parti që do të vinte në pushtet, ata do të ishin aty.
Xhemajlaj ai u shpreh se nëse PDK-ja fiton, ajo do të vazhdojë me shprehinë e vjetër dhe që, sipas tij, do të krijoheshin prapë pabarazi edhe në punësime.
Ndërkaq, ai nuk ka hezituar të thotë fjalë të tjera po që se do të fitonte vet. Xhemajlaj ka thënë se në qoftëse ai merr postin e të parit, do të ketë një barazi për të gjithë qytetarët e Drenasit.
“Do të ketë hapje për investitorët, jo që nuk kanë mundur të investojnë, por që i kanë larguar duke i kërkuar pare, para se të investonin. Nuk kanë arrit që 15 vjet të fusin as edhe një investitor të huaj”, ka thënë Xhemajlaj.
Ndërkaq, Xhemajlaj ka thënë se në qoftëse ai zgjedhet, përveq punës së parë që lidhet me investitorët të cilët janë larguar nga Drenasi, ai do merrej edhe avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.
“Nëse nuk i përmbushi premtimet, normal ma bajnë edhe mu, qysh jau kanë ba të tjerëve, më ndëshkojnë me votë” , shtoi Xhemajlaj.
Siç dihet, Isa Xhemajlaj ka hyrë në koalicion me Xhavit Drenorin nga AKR dhe disa parti të tjera. Ai, ka shfrytëzuar rastin të flas edhe për partnerët e koalicionit të krijuara para ca ditësh. Sipas tij, elektorati i Drenorit ka qenë për ndryshime në Drenas.
“Menoj që elektorati i tij që realisht ka qenë për ndryshime që janë thirrë në emër të ndryshimit, sepse janë dy blloqe ai që ka dasht me vazhdu me qeverisje që ka marrë 45% dhe blloku që ka dashtë me bo ndryshime ka marrë 85% si dhe kush do që kish mbetë në garë nga unë edhe blloku im do kishte me pas mbështjetje” , ka thënë Xhemajlaj./gazetametro.net/