Robert Downey Jr. ka reaguar ashpër ndaj idesë se influencuesit e rrjeteve sociale mund të jenë yjet e së ardhmes, duke e cilësuar këtë pretendim si “budallallëk” dhe madje “jashtëqitje”.
Aktori i njohur theksoi se fama e vërtetë duhet të ndërtohet mbi punën dhe krijimtarinë, jo vetëm mbi prezencën në internet. Në një paraqitje në emisionin Conversations for Our Daughters, ai foli për ndikimin që teknologjia dhe rrjetet sociale kanë në mënyrën se si njerëzit kërkojnë vëmendje sot.
“Sot mund të bëhesh i famshëm thjesht duke filmuar veten me telefon”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk e sheh këtë domosdoshmërisht si diçka negative, por si një sfidë për të ruajtur individualitetin.
I njohur për rolin e Tony Stark në Iron Man, Downey Jr. shprehu shpresën që të rinjtë të fokusohen më shumë te ndërtimi i diçkaje reale dhe zhvillimi personal, në vend që të kërkojnë vetëm vëmendje online.
“Dua të besoj se shumë të rinj do të zgjedhin të mësojnë, të krijojnë dhe të ndërtojnë diçka me vlerë, jo thjesht të promovojnë veten si influencues”, tha ai.
Ai gjithashtu kritikoi idenë se e ardhmja e industrisë së argëtimit i përket influencuesve: “Kur dëgjoj dikë të thotë se ata do të jenë yjet e së ardhmes, mendoj: nuk e di në çfarë bote jetoni – kjo është thjesht marrëzi”.
Downey Jr. u ndal edhe te ana më problematike e kulturës së influencuesve, duke e krahasuar atë me një formë vetëpromovimi të mbështetur në zhurmë dhe pompozitet. Si shembull, ai përmendi përvojën e djalit të tij 14-vjeçar, i cili ishte përfshirë për një periudhë në këtë botë, por më pas u tërhoq.
“Ai filloi të kërkonte donacione ndërsa luante videolojëra dhe kjo mund të kthehet lehtësisht në një lloj ‘feje’ moderne”, u shpreh aktori.
Sipas tij, fenomeni i influencuesve ka edhe një dimension “predikues”, të përshtatur për epokën e informacionit, por mbetet një terren ende i ri dhe i pa rregulluar mirë.
Në fund, Downey Jr. theksoi se përpiqet të mbajë një distancë nga rrjetet sociale dhe nuk dëshiron të jetë i detyruar të prodhojë vazhdimisht përmbajtje personale vetëm për të kënaqur publikun.
Karriera e tij ka qenë e gjatë dhe me ulje-ngritje, nga sukseset e hershme te sfidat personale, deri te rikthimi i fuqishëm me filma si Sherlock Holmes dhe së fundmi Oppenheimer, për të cilin fitoi edhe çmimin Oscar.