Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se autoritetet në Kosovë nuk duan që ta zbardhin të vërtetën rreth rastit të vdekjes së aktivistit të VV-së në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari.
“Mënyra sesi u administrua rasti tregon se autoriteteve të vendit nuk po u pëlqen e vërteta mbi vdekjen e Deharit, prandaj tashmë ata as nuk duan ta zbulojnë e as nuk munden pasi ka kaluar shumë kohë pas vdekjes”, tha Ymeri në emisionin Rubikon të KTV-së.
Ai shtoi se lëvizja që ai drejton nuk do ta pranojë rezultatin që del nga hetimet e autoriteteve të Kosovës dhe kërkon një hetim nga ekspertë ndërkombëtar që janë kredibilë dhe të pranueshëm nga familja Dehari, pasi ata më nuk besojnë në instancat e vendit.
“Po të mos ishin të pranishëm ekspertët nga Shqipëria e Londra në autopsinë e Astrit Deharit, evidentimi i shkaktarit të vdekjes do të ishte ndryshe”, tha Ymeri.
Gjithashtu, Ymeri tha se edhe seanca të cilën e kërkoi lëvizja Vetëvendosje për rastin Dehari u pengua nga kryeparlamentari Kadri Veseli. /gazetametro.net