Kanë filluar punimet e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes e cila po organizohet në Prishtinë. I pranishëm në mbledhje kryetari i këtij subjekti, Visar Ymeri tha se do të punohet deri sa Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), të futet në Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, dialogu me Serbine është ndalur në momentin që u ndal zbatimi i themelimit të komunave serbe.
“Sot nuk ka vazhdim të dialogut e praktikisht është ndalur me ndaljen e zajenices. Kjo qeveri premtonte se nga dialogu do të na njohë Serbia, do integrohej komuniteti serb, do liberalizoheshin vizat por asnjë prej këtyre nuk ndodhi” ka thënë Ymeri.
Ymeri ka nënvizuar se Kosova e sotme nuk është Kosova që kishte si synim UÇK’ja.
“A do të ndodhnin këto në UÇK’në e Kosovës, Jo. Sakrifica e tyre e solli lirinë e atë liri e kishin menduar se do të ishin të barabartë. Por ne do të vazhdojmë punën për ta futur UÇK’në në Kushtetutën e Republikës së Kosovës” ka shtuar ai.
Në fund Ymeri shpjegoi se subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje është sipas tij strumbullari i forcave progresive në Kosovë. Ai tha se tashmë Vetëvendosje njihet jashtë si pjesë e grupit të partive së forcave progresive. Ymeri si shembull dha Partinë Laburiste në Britani.