Loading…

Yuri Kim uron Ditën e Themelimit të FA-ve shqiptare: Krenare që jemi aleatë

  • 04/12/2021 | 13:39

Yuri Kim uron Ditën e Themelimit të FA-ve shqiptare: Krenare që jemi aleatë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shqipëri, Yuri Kim, të shtunën e 4 dhjetorit, ka uruar Ditën e Themelimit të Forcave të Armatosura shqiptare.


Përmes një postimi në median sociale Twitter, Kim shkruan se ndihet “krenare” që SHBA-të dhe Shqipëria janë aleate me njëra-tjetrën.

Gjatë datave 2 dhe 3 dhjetor, Kim ka zhvilluar takime dy-ditore për të diskutuar mbi hapat e mëtejshme për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Në të përfshihet përmirësimi i kapaciteteve dhe sigurimi i gatishmërisë së ndërveprimit mes dy vendeve.

Krijimi i Forcave të Armatosura Shqiptare
Më 4 dhjetor të vitit 1912, gjashtë ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, do të krijohej Ushtria Kombëtare.

Për herë të parë në historinë e vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Luftës).

Ky institucion pararojë u udhëhoq nga Mehmet Dërralla. Në krye të Shtabit të Përgjithshëm u caktua major Ali Shefqet Shkupi.

Strukturat kryesore të saj ishin forcat aktive, forcat rezervë dhe vullnetare.

Ndër të tjera, llogaritej edhe xhandarmëria, me një personel total prej 12 mijë trupash.

Forcat e Armatosura u ndanë për herë të parë në Forca Tokësore, Detare dhe Ajrore.

Më 7 prill të vitit 1939, u reformuan strukturat e reja të Forcave të Armatosura.

Këto të fundit u përkisnin grupeve të ndryshme politike të kohës, që do të përballeshin me pushtuesit.

Ushtria Vullnetare Antifashiste Nacionalçlirimtare

Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe më efikase, me formacione të disiplinuara sulmuese, me rritje progresive të numrit dhe me Shtabin e Përgjithshëm, ishte Ushtria Vullnetare Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Kjo ushtri krijoi 24 brigada, 8 divizione dhe 3 trupa të ushtrisë, afërsisht 45 mijë ushtarë dhe konsiderohet si një nga ushtritë më të suksesshme që nga viti 1912.

Në nëntor të ’44-ës, së bashku me forcat territoriale arriti në 70 mijë ushtarë. Ky numër përfaqësonte 7% të popullsisë shqiptare në atë periudhë.

Pas çlirimit të vendit, Ushtria iu nënshtrua një procesi reduktimi dhe riorganizimi.

Struktura e saj organizative përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Forca Tokësore, Forca Detare dhe Forca Ajrore, duke përfshirë forcën territoriale dhe rezervë.

Në vitin 1951, u krijua aviacioni i parë ushtarak, në vitin 1953 u krijua trupi kimik, shërbimet e komunikimit dhe inteligjencës etj.

U riorganizuan forcat detare, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera.

Gjatë Luftës së Ftohtë, në vitet ’70-të, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe të anëtarëve, duke arritur në 61 mijë trupa aktive, 26 mijë trupa rezervë dhe një numër të madh trupash vullnetare.

Në fund të viteve ’80, Ushtria kishte 22 divizione që përbënin tre fronte.

Bazuar në konceptin e mbrojtjes për çdo metër katror, ​​ushtria u vendos në 2 mijë e 200 pika në të gjithë vendin dhe fortifikimi u bë një synim më vete.

Për herë të parë në historinë ushtarake botërore, në Shqipëri u hapën shkollat ​​ushtarake falas.

Gjatë viteve ’90-të, me ndryshimin e sistemit politik, pjesë e këtyre ndryshimeve u bë edhe ushtria.

Reformat në Forcat e Armatosura nisën me vendosjen e kontrollit civil mbi to, heqjen e simboleve komuniste nga uniformat ushtarake, zëvendësimin e tyre me simbole kombëtare, vendosjen e sistemit të gradave, depolitizimin dhe departizimin.

Shqipëria në NATO
Në vitin 1992, Shqipëria deklaroi publikisht aspiratën e saj për t’u anëtarësuar në NATO, e cila u pasua me hapa konkretë në këtë drejtim. Kështu, në vitin 1994, u nënshkrua dokumenti në kuadër të PfP (Partneriteti për Paqe) dhe në qershor 1995, Shqipëria u bë zyrtarisht pjesë e nismës PfP. Në vitin 1999 u përgatit për herë të parë Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP).

Edhe pse në vitin 1997, si pasojë e krizës, Forcat e Armatosura rezultuan si forca më e dështuar, brenda një kohe relativisht të shkurtër ato u rindërtuan dhe u bënë kontribues të denjë për sigurinë dhe paqen në rajon dhe më gjerë.

Gjeografia e kontributeve të Forcave të Armatosura në mbështetje të paqes dhe sigurisë kaloi kufijtë e rajonit të Ballkanit për t’u shtrirë përtej kontinentit.

Proceset integruese të Forcave të Armatosura, të nisura në vitin 1992, u ridimensionuan pas vitit 1997 në përputhje me realitetet e krijuara dhe arritën kulmin e tyre me ftesën për anëtarësim në NATO, që vendi ynë mori në Samitin e Bukureshtit në prill 2008.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë