Zëdhënësi i BDI’së Bujar Osmani ka konfirmuar se LSDM është e gatshme të votojë për padinë kundër Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve në mes të dy luftërave, gjë që është pjesë e Platfomës së Tiranës të partive shqiptare në Maqedoni dhe një prej kushteve që shqiptarët të përkrahin Zaevin për mandatar.
Osmani në intervistë për mediet maqedonase ka thënë se është arritur marrëveshja me Zaev’in për këtë çështje.
“Besojmë që kjo është çështje e cila duhet të jetë e mbyllur”, ka thënë Osmani, dhe ka shtuar se lideri i BDI’së Ali Ahmeti në oborrin e shtëpisë së vet ka gjetur varrezën e cila është vetëm maja e asaj masakre, e cila ka ndodhur ndaj shqiptarëve në atë periudhë, përcjell Gazeta Metro.
Mediet maqedonase kanë publikuar në tetor të vitit të kaluar se në oborr të shtëpisë së liderit të BDI’së Ali Ahmeti janë gjetur skeletet i personave deri tani të paidentifikuar, dhe mendohet se fjala është për mbetjet e njerëzve të cilët janë varrosur aty qysh prej vitit 1913.
Shtëpia e Ahmetit gjendet në fshatin tetovar Zajas.
Koordinatori i ekipit i cili e ka hulumtuar varrezën, Musli Musliu ka thënë se trupat së pari janë djegur, e më pas janë gjuajtur në një pus i cili më vonë është mbuluar me dhe.
Sipas informatave të publikuara në oborrin e shtëpisë së Ahmetit janë gjetur së paku dhjetë skelete. /gazetametro.net