Askush nuk ka kërkuar që pasi të krijojmë qeverinë të bëjmë diçka kundër serbëve, ka deklaruar Zoran Zaev, lider i Lidhjes socialdemokrate të Maqedonisë në intervistë për median serbe, Kurir, përcjellë gazetametro.net.
Në pyetjen se nëse zgjedhja kryetarit të Sobranjës, Talat Xhaferi, për disa në Serbi dhe Maqedoni është problematike ai përgjigjet:
“Kjo garniturë e cila nuk do ta dorëzojë pushtetin, 11 vite ka qenë në koalicion me partitë shqiptare, me të njëjtat parti që ne kemi bërë koalicion dhe prej nga vjen edhe Talat Xhaferi. Ai një kohë të gjatë ka qenë kryetar i komisioneve në parlament, ishte ministër i mbrojtjes dhe zëvendës i ministrit të mbrojtjes në kohët e kaluara dhe asgjë nuk ishte kontestuese. Ky është vetëm arsyetim për atë se Gruevski nuk do ta dorëzoj pushtetin. Ata zyrtarisht nuk bëjnë problem rreth asaj se kush është në krye të parlamentit. Ata bëjnë problem për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit. Në diskutimet e veta ata nuk kanë asnjë argument kundër Xhaferit”.
Në konstatimin se mediet pro qeveritare në Serbi e quajnë Zaev’in shërbëtor të shqiptarëve ai thotë:
“Sepse në Serbi ekziston një udhëheqësi nacionaliste e zotëri Vucic’it i cili është vet deklaruar si lider në regjion dhe herën e parë që iu është kërcënuar karriera politike e tregoi fytyrën e vet të vërtet nacionaliste”.
Ai gjithashtu flet edhe për dokumentin e Tiranës për të cilin thotë se është deklaratë e përbashkët e tri partive shqiptare me të cilët negociojnë për krijimin e qeverisë.
“Ky dokument ka për obligim të cilin duhet ta pranojnë të gjithë në Maqedoni dhe përmban planin për 10-15 vitet e ardhshme. Ata konsiderojnë se është i obligueshëm integrimi ynë në BE, anëtarësimi në NATO, zhvillim jo etnik dhe i barabartë ekonomik në gjithë territorin e Maqedonisë. Ashtu si ndërtohet kultura e maqedonasve, të ndërtohet edhe kultura shqiptare, turqve, boshnjakëve etj. Do të hapet edhe debati për himnin, flamurin dhe stemën. Në këtë dokument gjithashtu bëhet fjalë edhe për gjenocidin e ushtrisë kundër popullatës civile prej vitit 1912 deri në vitin 1956”, ka thënë Zaev.
Ai thotë se as për Gruevski’n nuk ishte problem Platforma e Tiranës, se ai e ka publikuar se ka pranuar Platformën e partive shqiptare, dhe se ka pranuar gjithçka që kanë kërkuar shqiptarët në mënyrë që të formohet qeveria. Ata nuk mundën të merren vesh vetëm për krijimin e Prokurorisë Speciale Publike. Kjo prokurori është krijuar që të iniciojë hetimin në lidhje me përgjimet e paligjshme telefonike, dhe të iniciohen procese gjyqësore ndaj të gjithëve të cilët e kanë shkelur ligjin, përshirë Zaev’in, Gruevski’n etj.
A keni prova për atë se çfarë ndodhi në liqenin e Smiljkov’it ku u vranë katër fëmijë dhe një peshkatar? Ishte pyetja e radhës.
“Ekzistojnë bisedat të cilat tregojnë se për njerëzit të cilët janë në burg, nuk ka asnjë provë se ata e kanë bërë krimin. Ekziston dyshimi se pushteti është i përzier në këtë. Në bisedat e përgjuara ekzistojnë indikacione se qeveria deshi të tregoj se shqiptarët kanë vrarë maqedonasit”, përgjigjet Zaev dhe shton se është i bindur se edhe në ngjarjet e Kumanovës qeveria i ka përzier gishtat, gjegjësisht oponenti i tij politik, dhe se beson që hetimi do të provojë edhe këtë”.
“Këtu janë të përfshira shumë struktura. Kemi dëgjuar kur Sinisa Aleksovski bisedon me të ashtuquajturin komandant i NATO’s Mirsad Ndrecaj nga Kosova. Ata kanë pasur komunikim në mes vete. Përse kanë pasur nevojë të kenë komunikim në mes tyre. Ekzistojnë indikacione që shefi i shërbimit të inteligjencë Sinisa Aleksovski ka qenë te Gerogi Ivanov’i, por ekzistojnë edhe indikacionet për përfshirjen e strukturave të larta të pushtetit në këtë ngjarje”, thotë Zaev.
“Unë iu kam premtuar qytetarëve se do të ketë hetime ndërkombëtare për zbardhjen e këtyre ngjarjeve. Nëse dëshirojmë që të jemi vend si çdo vend tjetër nuk guxojnë të ekzistojnë këto tema tabu, që të mos dihet se kush është fajtor për vrasjen e katër fëmijëve apo kush është në të vërtet fajtor për vrasjen e 8 policëve në Kumanovë, dhe se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, kush qëndron pas këtyre ngjarjeve”,insiston Zoran Zaev. /gazetametro.net