Lideri i partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, shprehet i sigurt se Zafir Berisha do të jetë kryetar i Prizrenit, pas zgjedhjeve të ardhshme lokale që mbahen vitin që po vjen.
“Nisma në krye me Zafir Berishën, nga viti i ardhshëm, do të drejtojnë Prizrenin”, thotë Limaj.
Sipas tij, pushteti aktual po e keqpërdor pozitën që ka në krye të komunës së një prej qyteteve më të mëdha në Kosovë.
“Nuk do të lejojmë që Prizreni të keqpërdoret nga bandat”, thotë Limaj.
Zafir Berisha në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013, si kandidat i BD-së për kryetar të Prizrenit, pati marrë mbi nëntë mijë vota. PrizrenPress shkruan se atëbotë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte ofruar ‘gjithçka’ Zafir Berishës vetëm që ky i fundit ta mbështesë Ramadan Mujën në balotazhin e 1 dhjetorit të zgjedhjeve të atëhershme lokale.
Tutje, lideri i Nismës, Fatmir Limaj, tregon se Nisma në Prizren është zgjeruar. “Prandaj edhe nuk do të mungojnë rezultatet”, shprehet ai. Ai fton qytetarët e Prizrenit që t’i bashkohen partisë që ai drejton.
“Ftoj qytetarët që t’i bashkohen Nismës. Ka ardhur koha që të ndryshojmë keqqeverisjen në Prizren”. “Është koha e fundit që qytetarët të mobilizohemi dhe të mos rrimë indiferent”, ka shtuar Limaj, duke iu drejtuar qytetarëve të Prizrenit.
Ndërkaq, Zafir Berisha nuk e ka fshehur asnjëherë ambicien për t’u bërë kryetar i Prizrenit. Ai,tashmë e ka shpallur kandidaturën për kryetar të këtij qyteti. Ai shprehet i bindur se do të dalë fitues në Prizren, në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Fitorja në këtë komunë, do të ndikojë që alternativa e Nismës të fuqizohet në të gjithë Kosovën”, thotë Berisha./gazetametro.net