Loading…

Zbardhet Rruga e Kombit, priten ngrica

  • 29/11/2016 | 16:49

Zbardhet Rruga e Kombit, priten ngrica

Ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore në veri-lindje dhe jug-lindje të vendit, në qytetet Kukës, Peshkopi, Bulqizë, si dhe Korçë e Pogradec.

Reshjet kanë zbritur deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit. Në Kukës, temperaturat kanë zbritur në minus 1 gradë Celsius, ndërsa trashësia e dëborës në zonat e thella malore shkon nga 10 deri në 20 cm.

Situata në Rrugën e Kombit paraqitet normale dhe pa probleme. Shtresa e dëborës në tunelin e Kalimashit është 4 cm, por qarkullimi është i lirë.

Tetë kompani mirëmbajtëse po hedhin kripë, ndërsa mjetet borëpastruese po heqin borën në segmentin Tuneli i Kalimashit-Fushë Dukagjin.

Ndërkohë, disa fshatra në njësitë bashkiake Kalis e Arrën kanë mbetur pa energji elektrike. Ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e avarive, të shkaktuara edhe nga erërat e forta.

Në Tropojë dhe Kukës janë disa akse rrugore ku nuk mund të kalohet me mjete pa zinxhirë. Edhe në akset Bulqizë-Peshkopi, Qafë Bualli-Krastë dhe Bulqizë-Klos raportohet për ngrica në rrugë.

Ndërkohë, sinoptikanët deklarojnë se ngricat do të vazhdojnë deri të premten, ndërsa temperaturat do të zbresin deri në minus 6 gradë.

“Gadishulli i Ballkanit dhe vendi ynë është prekur nga i ftohti i parë Arktik, i cili këtë mëngjes ka sjellë reshje bore përgjatë veri-lindjes dhe jug-lindjes së vendit, në lartësitë deri në 600 metra në nivelin e detit. Kjo situatë meteorologjike parashikohet të na shoqërojë deri në ditën e enjte, kur termometri do të zbresë më tej me minus 5-6 gradë Celsius. Pra, i gjithi vendi do të përfshihet nga ngricat dhe akulli në këtë fillim dhjetori. Dita e premte dhe fundjava gradualisht do të sjellë rritje të temperaturave dhe reshje të pakta shiu në zonat e ulëta dhe reshje bore në zonat malore”, ka deklaruar sinoptikania Rezarta Xhakollar.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë