Gjatë ditës së sotme, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim me shefat e misioneve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituara në Kosovë.
Pas këtij takimi, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, ka thënë se roli i Kuvendit është i rëndësishëm për reformat që duhen krijuar, për zhvillim ekonomik, punësimin, kulturën.
“Prandaj zbatimi i MSA-së është shumë i rëndësishëm. U pajtuam të kemi takime më të shpeshta dhe komunikim më të madh, sepse dialogu që duhet zhvilluar në Kuvend është shumë i rëndësishëm për qytetarët”, tha shefja e BE-së në Kosovë, raporton Koha.net.
Ajo potencoi se brenda një jave do të emërohet edhe ministri i Integrimeve.
“Jam e lumtur që do të bëhen publike raportet e financimit të partive politike”, ka thënë Apostolova.
Ndërkaq, Kadri Veseli tha se Kosova është kontribuuese e stabilitetit.
“Do të vazhdojmë kursin e komunikimit pozitë-opozitë, do të vazhdojmë procesin e forcimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Për ne partneriteti me vendet e BE-së është shumë i rëndësishëm. Zotohem se komunikimi do të jetë i vazhdueshëm”, ka thënë mes tjerash Veseli.
Kryeparlamentari potencoi të kenë marrë zotimin që të kenë takime më të shpeshta “në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin evropian të Kosovës”.