Rregullimi i Tregut të Gjelbërt, rregullimi i Varrezave të Qytetit, zbatimi i Planit të Veprimit për Grumbullimin dhe Menaxhimin e Mbeturinave janë disa nga projektet e vitit 2020 të Drejtorisë së Shërbimeve Publike të komunës së Ferizajt, shkruan Gazeta Metro
Përmes një konferende për media Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike të komunës së Ferizajt Arben Halili shpalosi disa nga projektet e planifikuara për vitin 2020 nga kjo drejtori.
Riparimi i trotuareve në zonën qendër, rregullimi i Tregut të Gjelbër, mirëmbajtja dhe rregullimi i Varrezave të Qytetit, rregullimi teknik i komunikacionit me shenja ndriçuese, hartimi i Planit të Mobilitetit për Komunën e Ferizajt, investimi në rritjen e kapaciteteve operative të kompanive të mirëmbajtjes dhe blerja e makinerive të sofistikuara të pastrimit, vendosja e kontenjerëve nën dhe mbitokësor përgjatë gjithë zonës urbane si dhe zbatimi i Planit të Veprimit për Grumbullimin dhe Menaxhimin e Mbeturinave janë vetëm disa nga nismat që përfundimisht shërbimet publike në qytetin tonë, do ta ridimensionojnë plotësisht si kapacitete vepruese dhe cilësi të jetës për qytetarët.
Sipas Drejtorit Halili për të gjitha këto projekte janë paraparë të zhvillohen 17 procedura të prokurimit e për realizimin e të gjitha këtyre punëve buxheti i planifikuar i kësaj drejtorie është mbi 904 mijë euro për mallra dhe shërbime, 10 mijë euro për subvencione në rast të zjarreve të mundshme, ndërsa për investime kapitale buxheti kalon vleren e 1 milion e 373 mijë euro./gazetametro.net