Gjatë gërmimeve nënujore pranë ishullit Kekova, në provincën e Antalyas në Turqi, janë zbuluar amfora që vlerësohet se datojnë rreth 4.700 vjet më parë.
Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, e cilësoi zbulimin si një dëshmi të rëndësishme të historisë detare, duke theksuar se enët mund të jenë përdorur për transportimin e vajit të ullirit ose verës.
Analizat paraprake sugjerojnë se ato mund të jenë prodhuar në Luginën e Jordanit. Një prej amforave, e veçantë për nga shenjat dhe vrimat në trupin e saj, mund të ndihmojë studiuesit të kuptojnë më shumë edhe për përgatitjen e ushqimit nga detarët gjatë udhëtimeve të gjata.
Sipas Ersoyt, ky zbulim ofron të dhëna të reja për lidhjet tregtare dhe shkëmbimet kulturore në Mesdheun Lindor gjatë lashtësisë.