Duke komentuar rrezikun e humbjes së mbi 40 milionë eurove nga moszbatimi i reformave, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka vlerësuar se humbja e këtyre mjeteve do të kufizonte mundësitë për investime në infrastrukturë, zhvillim ekonomik dhe rritje të konkurrueshmërisë së vendit.
“Humbja e këtyre mjeteve nënkupton më pak mundësi për investime në infrastrukturë, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të konkurrueshmërisë”,thotë Zeka per FrontOnline.
Sipas Zekës , për një ekonomi si ajo e Kosovës, çdo mundësi e pashfrytëzuar financimi ka kosto të konsiderueshme, ndërsa pasojat afatgjata të vonesave në reforma mund të jenë edhe më të mëdha se vetë vlera e fondeve të humbura.
“Për një ekonomi si Kosova, çdo mundësi e pashfrytëzuar financimi ka kosto të konsiderueshme. Kostoja afatgjatë mund të jetë edhe më e madhe se vlera e fondeve të humbura”, thotë Zeka.
Zeka ka thënë se ngecjet në zbatimin e reformave ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë, në tërheqjen e investimeve dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
“Vonesat në reforma ndikojnë në produktivitet, konkurrueshmëri, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaron drejtori i Odës Amerikane në Kosove.
Ai ka vlerësuar se realizimi i reformave varet nga koordinimi ndërinstitucional, kapacitetet administrative dhe prioritizimi i proceseve, duke nënvizuar nevojën për forcimin e mekanizmave të zbatimit dhe monitorimit. Sipas Zekës, vonesat e vazhdueshme mund të ndikojnë edhe në perceptimin e investitorëve për mjedisin e biznesit në Kosovë, pasi ata vlerësojnë veçanërisht parashikueshmërinë, stabilitetin institucional dhe përkushtimin ndaj reformave.
“Zbatimi i reformave varet nga disa faktorë, përfshirë koordinimin ndërinstitucional, kapacitetet administrative dhe prioritizimin e proceseve. Megjithatë, kjo situatë dëshmon nevojën për forcimin e mekanizmave të zbatimit dhe monitorimit. Investitorët vlerësojnë veçanërisht parashikueshmërinë, stabilitetin institucional dhe përkushtimin ndaj reformave. Prandaj, vonesat e vazhdueshme mund të ndikojnë në perceptimin e tyre për mjedisin e investimeve”, deklaron Zeka për FrontOnline.
Ai ka bërë thirrje për një plan konkret veprimi, me afate të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe koordinim më të mirë ndërinstitucional, në mënyrë që Kosova të përmbushë obligimet dhe të shfrytëzojë maksimalisht mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian.
“Kjo situatë duhet të trajtohet me seriozitet dhe urgjencë institucionale. Nevojitet një plan konkret veprimi, me afate të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe koordinim më të mirë ndërinstitucional, në mënyrë që Kosova të përmbushë obligimet dhe të shfrytëzojë maksimalisht mundësitë që ofron Bashkimi Evropian”,përfundon Zeka.