Loading…

Zemaj e Ahmeti së bashku në konferencë: Respektoni masat, që të mos ketë kufizime shtesë

  • 27/10/2020 | 13:12

Zemaj e Ahmeti së bashku në konferencë: Respektoni masat, që të mos ketë kufizime shtesë

Rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 është si pasojë e mos disiplinës individuale. Kështu tha ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me ç’rast tha se do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme qoftë edhe kufizime nëse ka mos disiplinë.


Nga aty ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se kanë bashkëpunuar me te gjitha komunat për të luftuar pandeminë.

Me kreun e Prishtinës Shpend Ahmeti, ai tha se kanë biseduar për menaxhim më të mirë të situatës dhe për një vigjilencë e dinamik të shtuar të mbikëqyrjes.

Krejt çka po kërkohet është respektim i masave. Rritja e numrit këtyre ditëve është nga mos disiplina individuale e njerëzve, e individëve edhe atyre që kanë përgjegjësi qoftë edhe në institucione tona publike. Grumbullimi pa nevojshëm nuk i konvenon askujt, mos disiplina nuk i konvenon askujt, pa marrë parasysh çfarë pozicioni ka apo çfarë pozite ka në shoqëri. E keni pa një mesazh që e ka shpërnda edhe Ministria e Shëndetësisë mos i vritni familjarët e juaj, gjyshërit tuaj. Dje kemi pasur një rast vdekje e vitit 1933, besoni dhe duhet ta keni parasysh që nuk është një person që lëviz në qytet, po dikush virusin ia ka dërguar tek shtëpia. Andaj duhet të jemi të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe të ecim me këtë dinamikë. Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme qoftë edhe kufizime nëse paraqitet nevoja dhe nëse ka mos disiplinë, por jo mos disiplinë kolektive për njerëz të papërgjegjshëm”, tha ai.

I pari i Shëndetësisë, tha se aktualisht Kosova është ndër vendet me situatën më të mirë me pandeminë në Evropë, por që kjo të ruhet tha se nevojitet disiplinë nga të gjithë.

“Janë dy elemente të përgatitjes, e para është shtimi i mbikëqyrjes, koordinimi më i mirë, por edhe llogaridhënia për të gjithë neve duke filluar nga institucionet qendrore, lokale dhe kërkesa e vazhdueshme për qytetarët edhe të Prishtinës edhe anë e mbanë Kosovës që të respektojnë masat anti-COVID…Jemi ndër 5 vendet me situatën më të mirë pandemike në Evropë, jemi në limitet për të hyrë zonën e portokalltë, akoma jemi në zonën e gjelbër dhe asnjëherë nuk dëshirojmë që mos të kthehemi as në të portokalltën dhe mos e dashtë Zoti as në të kuqen. Kjo kërkohet nga të gjithë neve, disiplinë, përkushtim, që ta mbajmë ekonominë gjallë, ta mbajmë jetën publike dhe organizative, por do të intervenojmë aty ku është nevoja që të shtojmë mbikëqyrjen, kërkojmë përgjegjësi, do të ketë sanksione për ata të cilët nuk i zbatojnë masat dhe eventualisht ta mbajmë këtë situatë nën kontroll”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se kanë për qëllim që të mos ketë masa shtese dhe kjo sipas tij, varet edhe nga qytetarët.

Ahmeti tha se nuk janë të interesuar që të bëhet sërish karantina apo reduktim të orarit, por që tha se kjo nuk varet vetëm nga ta por edhe nga qytetarët se sa respektojnë masat aktuale.

“Dje, pardje i kemi këto shtimet në numrin e të infektuarve për çdo ditë dhe pak jemi të brengosur dhe ju kishim lutur që sot, ditëve në vijim të punojmë bashkë mos të na detyrojnë që tash të bëhemi më inspektor se inspektorët me idenë që nëse kafiteritë mbyllen ne11 e gjysmë, të mbyllen në 11 e gjysmë. Në qoftë se nuk lejohet që të ketë grumbullime nuk do t’i lejojmë ato grumbullime, po flas për vende që quhen tek kafet e rakisë ku nuk ka njerëz nëpër lokale po aty në rrugë bëhen nga 200, 300 veta, ato janë gjëra që nuk do t’i tolerojmë me idenë e vetme që ky numër mos të na shtohet. Kemi biseduar edhe për rastet në Prishtinë, natyrisht numri i testimeve në Prishtinë është më i madh po edhe Prishtina është më e madhe në përgjithësi se qytetet tjera. Pra, fokusin e kemi realisht që ta ngadalësojmë me idenë që kapacitetet tona shëndetësore ta tejkalojnë këtë”, tha ai.

Ahmeti bëri të ditur se në muajin nëntor do të fillojë hulumtimi për të kuptuar se sa është përqindja e qytetarëve që e kanë kaluar COVID-19. Ai tha se për këtë qëllim përmes testeve serologjike do të testohen 3 mijë qytetarë.

“Prishtina tash i ka marrë lejet e protokollit edhe prej Odës së Mjekësve edhe krejt për hulumtimin që do ta bëjmë, të cilin planifikojmë ta publikojmë edhe në revista ndërkombëtare. Në muajin nëntor ne do t’i testojmë 3 mijë qytetarë të Prishtinës do të bashkëpunojmë me Agjencinë Statistikor të Kosovës, pra do të kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve në qoftë se vijnë njerëz nga komuna e Prishtinës ta dini që po bëhet për hulumtim. Ideja është që në 3 mijë qytetarë të testuar me teste serologjike ta kuptojmë se cila është përqindja e qytetarëve të cilët e kanë pasur COVID-in. Në qoftë se del një numër për shembull 20 përqind atëherë ne e kuptojmë më mirë se sa kemi ndërtuar imunitet kolektiv dhe sa mund të ndikojë kjo në të ardhmen që ta ndalojë pak përhapjen e sëmundjes”, tha Ahmeti.

Ahmeti foli edhe për procesin mësimor në vend, ku tha se sot është një ndër sistemet më të mira të funksionimit të shkollave gjatë pandemisë. Ai tha se në momentin që e kuptojnë se mbi 5 përqind e stafit të një shkolle është e infektuar kalohet në mësimin online dhe pastaj testohet krejt stafi derisa të ulet numri nën 5 përqind. Kjo sipas tij, ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë që të mos ketë rritje të numrit të rasteve.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë