Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për masat e reja kundër COVID-19, duke thënë se janë duke diskriminuar qytetarët e vendit që jetojnë jashtë Kosovës ose në shtetet fqinje, transmeton Gazeta Metro.
Zemaj ka thënë se Kurti ka premtuar shumë për qytetarët sa ishte në opozitë, por nuk i mbajti këto premtime kur erdhi në pozitë.
“Kush i mashtroi dhe largoi i pari shqiptarët? Albin Kurti, magjistari dhe akrobati. Albin Kurti premtonte bashkim kombëtar me Shqipërinë sa ishte në opozitë, por kur erdhi në pozitë tha se këtë nuk e lejon Kushtetuta. E njëjta Kushtetutë ka qenë edhe sa ishte në opozitë, pra i ka gënjyer qytetarët”, ka thënë Zemaj.
Tutje, Zemaj ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e pengon Kurtin që të bëj më shumë për qytetarët e vendit që jetojnë në shtetet fqinje, por se kryeministri nuk po bën asgjë.
“Kush po ju detyron të punoni kundër tyre me këto masa?”, ka pyetur Zemaj-Kurtin lidhur me masat e reja kundër COVID-19.