Loading…
Zeneli: Po e presim me padurim Bullgarinë, luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë
  • 23/03/2019 | 20:36

Zeneli: Po e presim me padurim Bullgarinë, luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë kualifikuese kundër Bullgarisë, të cilën do ta zhvillojë të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”, transmeton Gazeta Metro.


Derisa dje Kosova ka mbajtur stërvitje vetëm me futbollistët që nuk ishin titullarë në miqësoren kundër Danimarkës, sot kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, me përjashtim të Benjamin Kolollit, derisa Hekuran Kryeziu ka stërvitur me ritëm të plotë me lojtarët e tjerë, derisa Vojvoda, Paqarada dhe Shala për shkak të angazhimit të madh në miqësoren kundër danezëve pjesën e fundit të stërvitjes janë lënë në pushim.

Pas stërvitjeve, Arbër Zeneli, ka deklaruar se ndeshja ndaj Bullgarisë është shumë e rëndësishme dhe se miqësorja ndaj Danimarkës i ka ndihmuar që hyjnë në ritmin e lojës.

“Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë. Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100 përqindshin tonë. Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi. Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar si ekip. Secili futbollistë po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha”, ka deklaruar Zeneli, përcjell Gazeta Metro.

Ndryshe, gjatë stërvitjes së sotme përzgjedhësi Bernard Challandes ka punuar në disa aspekte, veçmas në lojën taktike në zonë të ngushtë, si dhe ka kërkuar nga futbollistët që të kenë pasime të shpejta e të sakta. Atmosfera në skuadër është jashtëzakonisht e mirë dhe të gjithë futbollistët po e presin me padurim duelin e së hënës me Bullgarinë, me shpresë dhe besim se do t’ia dalin ta nisin mbarë këtë fushatë kualifikuese.

Kosovë – Bullgari zhvillohet më 25 mars(e henë) me fillim prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë