Nehat Mustafa, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka qenë mjaft kritik në menaxhimin e MPB-së por edhe punën e policisë.
Në “Puls” të KTV-së, ai ka rikujtuar se ka publikuar disa dukuri, si “korrupsioni brenda policisë, policët e arrestuar dhe policët që punojnë në lokale ku përdoren drogat”.
“A ka përgjegjësi menaxheriale që dikush duhet të përgjigjet për gjithë këto arrestime brenda policisë, nuk ka pas asnjë përgjegjësi menaxheriale deri më sot nga ana e policisë. Krejt e kanë ditur se këta policë janë të përfshirë në afera korruptive dhe asnjëherë nuk i është ndërruar as vendi i punës”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se tek pas postimit të tij në Facebook, “çuditërisht ka pasuar një reagim nga Policia e Kosovës”.
“Kanë reaguar edhe pse nuk e kanë kontestuar asnjë fjalë që e kam shkruar por duke më akuzuar se zëvendësministri është përbuzës dhe njollosës i policisë. Kam kërkuar të hapet debati edhe për numrin e madh të ankesave në Inspektoratin Policor e cila kalon mbi 1 mijë sosh kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe është shqetësuese edhe pse nuk do të thotë që janë të vërteta gjithë këto ankesa”, ka thënë Mustafa