Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Boban Stankovic, është përfshirë në një rrahje mbrëmjen e kaluar rreth orës 00:30.
Këtë për gazetametro.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florie Ahmeti, duke shtuar se zëvendësministri ka qenë i përfshirë në një rrahje mes 6 personash.
Por, ndonëse u raportua se Stankovic u rrah, policia e llogaritë atë si të dyshuar, me ç’rast edhe e kishte shoqëruar në Polici. Përveç tij, në cilësinë e të dyshuarit janë marrë edhe dy persona të tjerë, të cilët janë liruar me urdhër të prokurorit pas intervistimit.
“Zëvendësministri për të cilin e keni fjalën, është i dyshuar dhe jo viktimë”, ka thënë Ahmeti për gazetametro.net.
Ndërkaq, ndonëse nuk dihen motivet e kësaj përleshjeje, mediat në Serbi kanë raportuar se lideri i Partisë së Pavarur Liberale, ishte përcjellur kohës së fundit, madje edhe iu kishin helmuar dy qenë në oborrin e tij.
Siç tregon Policia, ngjarja ka ndodhur në Graçanicë, në rrugën ‘Deved Jugovic’, lagjen e njohur si Bardhosh.
Ndryshe, i dyshuari për këtë përleshje, Boban Stankovic, më herët ka qenë edhe ministër Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës./gazetametro.net