Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, përcjell Gazeta Metro.
Megjithëse emri i saj është përmendur si pjesë e mundshme e listave zgjedhore, Daka ka mohuar përfshirjen në garën për deputete.
“Jo, jo. Nuk jam përfshirë. Oferta me siguri që kam pasur, por nuk do të jem pjesë e garës. Do ta vazhdoj jetën si qytetare e thjeshtë”, është shprehur ajo për IndeksOnline.
Ndërkohë, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur kanë afat deri në mesnatë për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit”, thuhet nga KQZ./gazetametro.net