Loading…

Zgjedhjet apo Zgjidhja?

  • Nga

  • SHKËLZEN MALIQI

  • 02/08/2019 | 18:54

Zgjedhjet apo Zgjidhja?

Gjatë 11 viteve prejse është shpallur Republika e Kosovës çdo bërje dhe zhbërje e qeverive zbulonte zbrazëtirat në Kushtetutë dhe ligjet, që shkaktonin huti dhe vonesa në zhvillimin e proceseve. Edhe aktualisht, pas dorëheqjes së parevokueshme të Kryeministrit Haradinaj, u krijua një vakum i pushtetit. Askush nuk ka përgjigje të qartë se si duhet të plotësohet ky vakum, përkatësisht se a e ka Kosova qeverisje funkcionale dhe me çfarë kompetenca, qoftë si detyrë transitore e Qeverisë së dorëhequr, qoftë ndonjë mekanizëm tjetër zëvendësues për periudhën deri në inaugurimin e Qeverisë së re, që sipas përvojave të mëparshme, mund të zgjasë disa muaj.


Shkruan: Shkëlzen Maliqi

Një pjesë e përgjegjësisë për gjendjen e krijuar duhet t’i adresohet neglizhencës dy javore të Presidentit Thaçi, prej të cilit pritej që të vepronte menjëherë me autoritetin e përgjegjësit për tejkalimin e vakumit qeverisës. Nuk ka vlerë arsyetimi mbi mungesën e rregullave të shkruara për këto raste. Si autoritet që mbron interesin e vendit nga Presidenti pritej veprimi dhe jo heshtja që në opinion krijonte përshtypjen e manovrimeve politikaneske për të “blerë kohën”. Konsultimet me partitë politike është dashur të fillojnë menjëherë për të dëgjuar opinionet dhe qëndrimet rreth dy opcioneve që Kushtetuta i ka paraparë për tejkalimin e vakumit të pushtetit:

1. Të vlerësojë, gjatë konsultimeve, mundësinë e propozimit të një mandatari të ri për Kryeministër, i cili do ta udhëhiqte Qeverinë në dy vitet e ardhshme, deri në fund të mandatit të Kuvendit aktual. Kuptohet, Presidenti e ka në dorë vetëm propozimin e mandatarit, ndërkaq që për t’u bërë kryeministër kandidati duhet ta fitojë votëbesimin e Kuvendit, minimalisht një më shumë se 50 % të deputetëve.

2. Nëse Presidenti gjatë konsultimeve bindet se partitë parlamentare nuk janë të disponuara për caktimin e mandatarit të ri por preferojnë organizmin e zgjedhjeve të parakohshme, ai do të duhej ta dekretonte shpërbërjen e Kuvendit duke e shpallur edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Shtrohet pyetja pse Presidenti në këtë rast u përcaktua për mosveprimin?

Kanë qenë dy arsye që frenonin ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme. E para lidhet me shqetësimin e deputetëve, por edhe të partive, që shpërbërja e Kuvendit të mos ndodh para 3 gushtit, datës kur Kuvendi aktual plotëson gjysmën e mandatit. Çështja është se Kuvendi ligjërisht duhet të jetë funksional të paktën gjysmën e kohës së mandatit, që ky mandat të konsiderohet si i plotë, me çka deputetët sigurojneë privilegje të konsiderueshme.

Për deputetët dhe partitë kapërcimi i “pragut” të 3 gushtit ka qenë i rëndësishëm, jo vetëm për të mos dëmtuar interesat personale të deputetëve, por edhe vetë partitë e kishin shqetësimin e vendimarrjeve nëse një pjesë e deputetëve do të “dëmtoheshin” duke mos qenë të sigurtë se partia do t’i kandidonte sërish e edhe nëse i kandidon, a do të marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të ri.

Po kështu ka qenë edhe një arsye më madhore pse Presidenti preferoi “blerjen e kohës” me mosveprim. Ndonëse nga shumica e deklarimeve publike krijohej përshtypja se procesi pashmangshëm çon drejt shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme, Presidenti, me gjasa nuk, se ka pasur komoditetin e menjanimit të opcionit tjetër që e kishte në dispozicion, atë të tentimit që të bëhet rikonstruktimi i Qeverise.

Sipas disa burimeve, edhe diplomacia ndërkombëtare ka bërë presion në Presidentin që të mos ngutet me shpalljen e zgjedhjeve pa e shterrur mundësinë e opcionit të rikonstruktimit të Qeverisë. Sipas diplomatëve, bazuar edhe në sondazhet mbi disponimin e elektoratit, zgjedhjet do të ishin vetëm humbje kohe, sepse Kosova do të mund të mbetëj pa Qeveri deri në fund të këtij vitit. Analizat e tyre përfshinin edhe një fakt tjetë djerrakohës, se edhe në Serbia i ka të programuara zgjedhjet e rregullta në pranverën e vitit 2020,  dhe se edhe atje krijimi qeverisë zgjat me muaj të tërë, kështu që do të pengohej për shumë kohë vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi.

Nderkaq, dihet se dialogu për faktorët ndërkombëtarë është prioriteti më i madh politik. Andaj këshillat e diplomatëve për Thaçin, dhe jo vetëm pët te, kanë qenë: harrojeni zgjedhjet, ato zakonisht nuk po janë decidive, përfundojnë me raporte të njejta forcash. Koncentroheni së pari në përfundimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjës finale.  Për këtë marrëveshje finale, të huajt janë shumë më optimist se janë palët në Prishtinë dhe Beograd, që duhet taa negociojnë atë.

Këshilla konkrete ndaj subjekteve politike të Kosovës (dikush atë e përjeton si presion) është që Kosova ta kërkojë dhe promovojë një kryeministri të ri, qoftë nga strukturat e koalicionit PAN, (gjë që është pak e mundshme nëse kihet parasysh qëndrimi i prerë kundër i kryeministrit të dorëhequr Haradinaj), qoftë përmes krijimit të një koalicion të ri, më të gjërë, që do të përfshinte edhe subjektet jashtë PAN-it, para së gjithash LDK-në, e cila edhe do të mund ta jepte mandatarin për kryeministër.

Në këtë kontekst ideja e kyçjes së LDK-së në zgjidhjen e vakumit, mund të merret si shpjegim shtesë për hezitimin dyjavor të Presidentit. Ai ka pritur 3 gushtin edhe  për të pare epilogun e procesit zgjedhor të LDK-së, dhe varësisht se kush do të dilte fitues dhe udhëheqës i saj në garën tejet nervoze (Isa Mustafa ose ndonjë tjetër pretendent), do ta kërkonte nga ai edhe një herë “sakrificën e interesit madhor” që do ta kishte për detyrë krijimin e një qeverie të unitetit, riparimin e marrëdhënieve të dëmtuara me partnerët strategjik të Kosovës, dhe vazhdimin dhe përfundimin e dialogut.

Në këtë dritë, manovrat presidenciale të Thaçit mund të shpjegohen si përpjekje për krijimin e një Qeverie transitore që do ta pezullonte menjëherë përperiudhën  4 deri 6 mujore taksën për importet nga Serbia dhe BiH, duke i kthyer pastaj edhe marrëdhëniet e vështirësuara me SHBA-të dhe BE-në në binaret normale të partneritetit strategjik, dhe si epilog, eventualisht, me hapjen e rrugës për vazhdimin e dialogut, të arrihet marrëveshja finale e normalizimit dhe njohjes së ndërsjell.

Në favot të këtij spekulimi flasin faktet se aktualisht në qarqet diplomatike sërish po dëgjohen zëshëm mendimet se vazhdimi dhe përfundimi i dialogut është prioritet dhe urgjencë absolute; ku madje edhe marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi shihet si e “programuar” për t’u kryer shpejt, më së voni deri në pranverë të vitit 2020!

A ka gjasa për një projeksion të këtill optimist? Apo është kjo një rrugë e lajthitjes, siç besojnë pesimistët që këtë skenar e shohin të rrezikshëm?

Argumenti në favor të spekulimit “optimist” është se në analizat e proceseve aktuale gjeostrategjike po ngulmohet në idenë se Kosova duhet ta shfrytëzojë konjukturën relativisht të volitshme në raportet gjeostrategjike mes fuqive të mëdha, që hap mundësinë e njohjes universale të pavarësisë së Kosovës, si prioritet mbi të gjitha prioritetet të shtetit të Kosovës.

Ideja e konjukturës në dukje mund të duhet e dyshimtë nëse raportet SHBA-BE-Rusi, si aks qëndror në superstrukturën aktuale gjeostrategjike, shikohen si raporte statike dhe pariparueshëm të acarruara e jo edhe si raporte që aktualisht janë në kërkim të mënyrave për shtendosje. Çështja është se skeptikët në mesin tonë besojnë se konflikti mes superfuqive karshi çështjes së Kosovës ka ma shumë elemente për brengosje sesa për optimizëm. Rusia po punon për trazimin e Ballkanit, jo për shtendosje, thonë ata.

Megjithatë, nga qendrat e vendosjes kemi paralelisht edhe sinjale tjera, p.sh. se në relacionet SHBA- Rusi ka edhe përpjekje për shtendosje ku në margjinat e “pazareve” për sanimin e pasojava të krizave në Lindjen e Afërt, në bazenin e Detit të Zi me epiqendër Ukrainën e disa të tjera, hapet edhe mundësia që fuqizimi i pavarësisë së Kosovës të jetë pjesë e akordeve pasi që është element i rëndësishëm për rrumbullaksimin e sistemit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Në kontekstin tonë sikur është humbur ndjeshmëria për zhvillimet globale dhe dëgjimi me kujdes i këshillave të partnerëve strategjik, ndoshta pë arsye se edhe ata nuk janë sa duhet të koordinuar dhe të një mendimi. Po kështu, është vështirë të parashikohen edhe zhvillimet e brendshme në Kosovë pas raporteve tejet të tensionuara mes subjekteve politike, të cilëve, edhe për shkak inateve dhe mërrive personale, u mungon koordinimi elementar rreth çësthjeve strategjike të interesit kombëtar dhe shtetëror.

Në këtë kontekst pezullimi i taksës nuk është e vetmja alternativë racionale për bllokadat që janë krijuar artificialisht për t’i kapërcyer hendeqet që po i has Kosova në rrugën e stabilizimit. Një pezullim i përkohshëm i idesë se zgjedhjet do të na sqarojnë dhe sjellin epilogun e duhur, do të mund të ishte më i dobishme se përsëritja e situatës të krijimit të qeverisë me zorr e inate. Ashtu sikur që për dialogun pezullimi i taksës do të sjellte shpejt, pas disa muajsh, sqarimin se a është apo jo kjo në interes të Kosovës dhe njohjes universale të saj, edhe pezullimi disamujor i zgjedhjeve, i kompensuar me një qeveri më përfshirëse, nuk o të sjellte dëme të pariparueshme. Zgjedhjet mund të mbahen vitin tjetër, e tani do të ishte e udhës të koncentrohemi në bashkëpunimin e brendshëm dhe me partnerët strategjik, për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga procesi negociator.

P.S. Komentin e kisha përfunduar kur u botua lajmi se Kadri Veseli e paska njoftuar Presidentin se PAN-i nuk ka kandidat tjetër për kryeministër. Zgjedhjet janë tani të pashmangshme.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë