Rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe krahasimet me ciklet e mëparshme tregojnë një pasqyrë të figurave politike që gëzojnë mbështetjen më të madhe brenda partive kryesore në Kosovë. Në krye të listës qëndrojnë emra të njohur që kanë ruajtur ose rritur ndjeshëm votat e tyre ndër vite, përcjell Gazeta Metro.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti vazhdon të jetë kandidati më i votuar, me rreth 403 mijë vota në zgjedhjet e fundit, duke shënuar një rritje të vazhdueshme krahasuar me ciklet e mëparshme. Pas tij renditen figura të rëndësishme të partisë si Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu, të cilët gjithashtu kanë regjistruar rritje të dukshme të mbështetjes qytetare. Në listë figurojnë edhe Hekuran Murati, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, që kanë konsoliduar pozitat e tyre brenda subjektit.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, më i votuari mbetet Bedri Hamza, i cili ka shënuar rritje të fortë në dy ciklet e fundit zgjedhore. Ndërkohë, kandidatë më të rinj si Arian Tahiri dhe Përparim Gruda janë pozicionuar lart në renditje. Po ashtu, Uran Ismaili, Memli Krasniqi dhe Enver Hoxhaj mbeten ndër emrat me ndikim në elektorat, raporton REL.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryeson Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidati më i votuar i partisë. Menjëherë pas tij vjen Hykmete Bajrami, ndërsa figurat si Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili dhe të tjerë vazhdojnë të mbajnë mbështetje të konsiderueshme brenda elektoratit të LDK-së.
Të dhënat tregojnë se partitë kryesore vazhdojnë të mbështeten në liderët e tyre qendrorë, të cilët dominojnë bindshëm listat e votimit, ndërsa paralelisht shfaqen edhe emra të rinj./REL