Loading…

Zgjedhjet në veri do të mbahen: KQZ ia dërgon Policisë listën e qendrave të votimit dhe planin për nevoja të sigurisë

  • 08/12/2022 | 19:29

Zgjedhjet në veri do të mbahen: KQZ ia dërgon Policisë listën e qendrave të votimit dhe planin për nevoja të sigurisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka marrë vendim për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Veri, shkruan Gazeta Metro.


Po ashtu, në këtë mbledhje u mor edhe vendimi për miratimin e planit operacional të KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut si dhe për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq dhe Zveçan.

Këtë e ka konfirmuar vet KQZ me anë të një njoftimi për media.

KQZ tha se plani operacional i KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve; lista e qendrave të votimit dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve.

Më poshtë komunikata e plotë nga KQZ:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës ku mori disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave dhe të zgjedhjeve të parakohshme të 25 dhjetorit për dy kuvendet komunale.

•             Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022. Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021. Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit megjithsej 74 vendvotime.

•             Bazuar në listën përfundimtare të votuesve, numri i votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në këto katër komuna është 44,939, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,900 fletëvotime, pra 4,039 apo 9.87% fletëvotime më pak se votues. KQZ-ja caktoi edhe numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit. Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje do të shtypen 18,500 fletëvotime, pra 1,771 apo 9.5% fletëvotime më pak se votues. Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

•             KQZ-ja miratoi përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore, të 18 dhe 25 dhjetorit 2022. (Bashkangjitur gjeni modelet e fletëvotimeve të miratuara).

•             KQZ-ja mori vendim për miratimin e listës së qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Për zgjedhjet e datës 18 dhjetor, KQZ-ja miratoi listën me 44 qendra të votimit, ndërsa për zgjedhjet e datës 25 dhjetor, u miratua lista me 25 qendra të votimit.

•             KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit operacional të KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut si dhe për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq dhe Zveçan.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se plani operacional i KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve; lista e qendrave të votimit dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë