Katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), janë pezulluar nga puna, për rastin e Astrit Deharit, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi për media, Ministria e Drejtësisë, ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin e katër zyrtarëve të IML’së.
Katër zyrtarët e pezulluar janë: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.
“Pezullohen nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Vendimi ka hyrë në fuqi me 8.12.2022”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në një konferencë për media njoftoi për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të LVV’së, Astrit Dehari.
Haxhiu tha se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.
“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Klemendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo. /gazetametro.net