Mëngjesin e së martës, ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë është përfshirë nga zjarri. Si pasojë, një zyre në katin e sipërm të objektit është djegur.
Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se prokurori i shtetit ka lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendin e ngjarjes.
Për zjarrin në IML, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore që të sqarohen shkaqet.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Express ka thënë se janë lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes. Ajo ka shtuar se në rast se paraqiten elemente të veprës penale do të ndërmerren veprimet e mëtejshme.
Ulaj tha se prokuroria në koordinim me Policinë, IML’në dhe institucionet tjera relevante janë duke vazhduar veprimet hetimore për të sqaruar rastin.
“Me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, tha Ulaj për Express.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nga zjarri në IML nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave.
Ajo ka thënë se ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit.
Haxhiu ka shtua se pa u kuptuar shkaku i zjarrit nuk mund të japin më shumë informacione.
“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri.Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka thënë ajo.