Me 16 shtator të vitit 2005, Glauk Konjufca kishte folur rreth shkëmbimit të territoreve, bashkimit të Luginës së Preshevës dhe për komunat veriore të Kosovës, ku Zveçanin dhe Zubin Potokun i quante komuna të Milosevicit, shkruan Gazeta Metro.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kishte deklaruar në vitin 2005 se ai dhe organizata politike ku ai është anëtarë, mendojnë se bashkimi i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është kurorëzim me Kosovën.
“Na mendojmë se shkuarja drejt asaj pune se kur natyrisht hapet edhe Lugina e Preshevës edhe rregullohen të drejtat e qytetarëve atje. Çështja e bashkimit kombëtar i bjen nëpër sovranitetin e Kosovës, qanej është rruga. Pa u bë Kosova sovrane, nuk mund të ndodhë as kjo dhe na e shohim këtë si kurorëzim të sovranitetit të Kosovës”, kishte thënë Konjufca në intervistën e tij në vitin 2005.
Ai në këtë intervistë e cilësonte komunën veriore të Kosovës, Zveçanin si komunë të Slobodan Milosevicit.
“Ne mendojmë se puna e tri komunave të veriut është problematike, Zveçani shembull është komunë e Milosevicit. Zveçani dhe Zubin Potoku janë komuna të vitit 1991”, kishte thënë Konjufca.
Ideja e bashkimit të Luginë së Preshevës, korrigjimi i kufijve dhe shkëmbimi territoreve, përfliten me vite në skenën politike në Kosovë. Mirëpo gjatë vitit 2018-2019, ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që dha idenë e korrigjimit të kufijve, duke thënë se është për këtë korrigjim dhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin për realizimin e aspiratës së të drejtave legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës, pa cenuar territorin e Republikës e Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi në vitin 2019.
Ai pati dhënë deklaratë të fortë përkundër kritikave që kishte nga oponentë politike gjatë atyre viteve, për korrigjimin e kufijve.
Ndarja e Kosovës pa shkelur mbi trupin tim nuk mund të bëhet, kishte thënë Thaçi.
“Ndarja e Kosovës, pa shkelur mbi trupin tim, nuk mund të bëhet. Nuk do të mund ta cenoj askush një milimetër të territorit të Republikës së Kosovës. Askush nuk do të mund ta cenoj as Trepçën, as Mitrovicën, as Ujmanin dhe asnjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, kishte thënë ai.
Së fundi temën e kufijve e ka sjellë në publik, kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj, i cili ka deklaruar këtë javë publikisht se janë pro ripërcaktimit të kufijve me Serbinë. /gazetametro.net