Loading…

Zviceranët përzënë nga pushteti politikanin proserb, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës

  • 21/03/2017 | 17:20

Zviceranët përzënë nga pushteti politikanin proserb, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës

Oskar Freysinger ka humbur postin e ministrit në kantonin e Wallisit pas një sërë skandalesh.


Kantoni i Wallisit në Zvicër njihet për natyrën e bukur alpine, dialektin e rëndë, të cilin zor e kanë ta kuptojnë jo vetëm gjermanët, por edhe zviceranët gjermanishtfolës, dhe për politikanë jokonvencionalë. Oskar Freysinger i kapërcente gati të gjithë kufijtë. Këtë të diele ai u ndëshkua nga elektorati duke humbur postin e ministrit në qeverinë kantonale. Para katër vitesh ai ishte zgjedhur në kabinet me numrin më të madh të votave si kandidat i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP). Gjatë këtij mandati profesori 56-vjeçar i gjimnazit bëri jehonë në media me skandale të njëpasnjëshme.

Që ai mbante në zyrën e tij një flamur gjerman të luftës të përdorur edhe nazistët ishte e ditur që para zgjedhjes. Më vonë Freysinger, i cili në Wallis ishte përgjegjës për sistemin e drejtësisë dhe arsimin, kultivoi kontakte të ngushta me ekstremistët e djathtë në mbarë Europën. Ai udhëtoi në Moskë dhe doli në televizionin rus, ku lavdëroi politikën e Vladimir Putinit, pastaj e emëroi këshilltar për komunikim Slobodan Despotin, një serb me banim në Zvicër, i cili mohon gjenocidin në Srebrenicë dhe zhvillon fushata njollosjeje kundër atyre gazetarëve që në mediat zvicerane shkruajnë tekste kritike mbi politikën serbe në Ballkan.

Freysinger është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, pasi Shoqata e Shkrimtarëve Zviceranë kishte refuzuar kërkesën e tij për anëtarësim. Një vëllim me poezi të tij është botuar në serbisht. Në një shkrim për revistën serbe «Geopolitika» Freysinger ka shkruar se «çdo patriot që ec mbi tokën e paraardhësve të tij në zemrën e tij duhet të jetë serb. (…) Sepse populli serb në fatin e tij përmbledh të gjitha vuajtjet, të cilat ia shkakton një të dobëti përbindëshi i pafrenueshëm i rendit të ri botëror, duke shkelur me këmbë ligjet ndërkombëtare dhe të drejtën e vetëvendosjes të kombeve sovrane». Sipas Freysinger Serbinë në vitin 1914 e keqtrajtonte Austro-Hungaria, ndërsa sot këtë e bën Perëndimi. Ai e ka kundërshtuar rreptë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra. Ky hap, sipas tij, është i paturpshëm.

Të gjitha këto skandale dhe sulmet e Freysinger kundër një politikani kristiandemokrat për shkak të një fëmije jashtëmartesor, nuk u pritën mirë nga elektorati. Është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që në Wallis dëbohet me votë nga pushteti një ministër në detyrë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë